Tetë personat e dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos të hënën pasdite do të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre në Prokurori. Ata janë të gjithë anëtarë të së njëjtës shoqatë tifozësh të futbollit të PAOK-ut, e njohur në Selanik jo vetëm për emrin “Porta 4”, por edhe për aktet e dhunës të shfaqura si brenda dhe jashtë stadiumit.
Personat e dyshuar u arrestuan në një operacion të fshehtë të mirëorganizuar të policisë pas lëshimit të 10 urdhër-arresteve. Mësohet se për të gjithë personat e arrestuar ka prova se kanë marrë pjesë në sulmin ndaj disa të rinjve në lagjen Harilaou të qytetit javën që shkoi.
Mësohet se shqiptari i arrestuar në Selanik, si i dyshuar për vrasjen e Kampanos, quhet Aleksandër Gega.
Policia ka deklaruar se gjurmët e tyre janë identifikuar në vendin dhe armët e sekuestruara të krimit.
Shumica e tyre, shtatë grekë dhe një shqiptar, të moshës nga 20 deri në 23 vjeç, janë proceduar penalisht edhe më parë.
Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, një 20-vjeçar me origjinë shqiptare që është larguar drejt Shqipërisë nëpërmjet Kapshticës një ditë pas vrasjes së 19-vjeçarit dhe ndaj tij thuhet se do të lëshohet një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Ai konsiderohet si mik i ngushtë i 23-vjeçarit me origjinë shqiptare që u arrestua i pari me akuzën për vrasjen e 19-vjeçarit dhe që sot shkon përsëri në Prokurori për t’u përballur me akuzat e tjera.
Sipas policisë, të dy këta, në mars të vitit 2019, kishin sulmuar së bashku dy tifozë të Arisit në të njëjtin vend ku mbeti i vrarë, Alkis Kampanos.
Mësohet se kryeministri Mitsotakis ka thirrur një mbledhje urgjente me disa anëtarë të kabinetit për të marrë një sërë masash me qëllimin për t’i dhënë fund dhunës së tifozëve.
Ai ka propozuar mbylljen e këtyre tifo-grupeve, shoqatave sportive që janë të paligjshme dhe që përdorin huliganë dhe persona me precedentë penalë, duke shkaktuar pothuajse çdo javë konfrontime të dhunshme.
Vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar në Greqi mbi 250 sulme huliganësh, ndërsa janë arrestuar mbi 200 persona, por dënuar është vetëm një. Nisur nga kjo gjendje, Greqia mund të propozojë ndryshime të Kodit Penal, në lidhje me këto akte dhune në stadium dhe jashtë tyre.
Top Channel