Greqi, në kërkim 2 shqiptarë/ Akuzohen për vrasjen e 18 vjeçarit në 1 shkurt, pas përplasjes mes tifozerive

06/02/2022 01:39

Autoritetet greke kanë shpallur në kërkim dy shqiptarë dhe 6 shtetas grekë, të cilët dyshohet sa kanë vrarë në datën 1 shkurt në Selanik 18-vjeçarin Alqi Kombani.

Ngjarja u raportua se kishte ndodhur pas një përplasje mes tifozerive të dy skuadrave grekë. Top Channel ka siguruar edhe foton e njërit prej të akuzuarve. Ky është Roxhers Demirazi, 20 vjeçari që policia greke ka shpallur në kërkim, si pjesë e grupit të huliganëve që dhunuan deri në vdekje 18 vjeçarin Alqi Kombani.

Ai u identifikua prej shenjave të gishtrinjve pasi u gjetën në disa shkopinj në vendin e ngjarjes. Policia greke thotë se Demirasi ka mundur të largohet drejt Shqipërisë në datën 2 shkurt, 24 orë prej vrasjes së 18 vjeçarit dhe ka kaluar në pikën kufitare të Kapshticës.

Autoritet greke thonë se 20 vjeçari është i proçeduar dhe më parë për një akt të ngjashëm të ndodhur në vitin 2019. Prokuroria e Selanikut deklaroi këta persona akuzohen për krijimin e organizatës kriminale.

Policia greke njoftoi se ka gjetur prova që ky grup kontrollohet prej drejtuesve të tifozëve pranë klubeve më të mëdha sportive greke. Për vrasjen e 18 vjeçarit është arrestuar dhe një 23 vjeçar shqiptar. Ndërkohë që opinioni publik grek është tronditur nga dhuna ekstreme që u ushtrua ndaj Alqi Kobani.

Top Channel