Ukraina, presion Gjermanisë: Na sillni armë dhe duam ato të teknologjisë së fundit

05/02/2022 13:43

Ukraina i ka kërkuar zyrtarisht Gjermanisë që ta furnizojë me armë, diçka të cilën Berlini ka refuzuar ta bëjë deri më tani, ndryshe nga partnerët e tjerë të NATO-s. 

Në një letër drejtuar Ministrisë së Jashtme Kievi rendit shumë dëshira dhe kërkon që Gjermania ta shqyrtojë sa më shpejt kërkesën.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” citon nga një letër drejtuar Ministrisë së Jashtme në të cilën ambasada liston një numër armësh që dëshiron Ukraina.

Në letër thuhet se për shkak të “situatës jashtëzakonisht të tensionuar të sigurisë dhe kërcënimit të agresionit rus”, ambasada kërkon që “kjo kërkesë të shqyrtohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në artikullin e “Süddeutsche Zeitung”.

Ambasada e Ukrainës në Berlin kërkon sisteme për mbrojtjen kundërajrore ndaj raketave me rreze të mesme veprimi, sisteme kundërajrore portative, armë kundër dronëve, sisteme për shkatërrimin me mikrovalë, sisteme elektronike gjurmimi, por edhe pajisje për shikimin e natës, kamera vëzhgimi dhe municione.

Më tej, “Süddeutsche Zeitung” citon nga letra se bëhet fjalë për “sisteme armësh me karakter mbrojtës”.  Ukraina kërkon ndihmë të menjëhershme për t’i blerë urgjentisht këto pajisje dhe armatime. Qeveria gjermane i ka premtuar Ukrainës vetëm dërgimin e 5000 helmetave ushtarake”.

Në marrëveshjen e koalicionit, qeveria federale gjermane e përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kanë vendosur të mos dërgojnë armë në rajone krize.

Top Channel