Rusia dhe Kina, show uniteti kundër NATO-s: Ndalo zgjerimin, ose…!

05/02/2022 10:56

Në një show uniteti nga Pekini, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping kërkuan që NATO të ndalojë zgjerimin e saj në lindje të Europës.

Dy udhëheqësit, që shpesh rreshtohen krah njëri-tjetrit në çështjet gjeopolitike, e akuzuan aleancën veriatlantike se po shfaq një ideologji të Luftës së Ftohtë , kjo në kohën kur Rusia po kërcënon Ukrainën, një ish-republikë sovjetike, me perspektivën e një pushtimi.

Kina dhe Rusia e “kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe i bëjnë thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut të braktisë qasjet e saj ideologjike të luftës së ftohtë, të respektojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vendeve të tjera, diversitetin e prejardhjes së tyre civilizuese, kulturore dhe historike dhe të ushtrojë një qëndrim i drejtë dhe objektiv ndaj zhvillimit paqësor të shteteve të tjera”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre.

Ndërkohë, në një njoftim të vecantë Ministria e Punëve të Jashtme kineze theksoi se dy liderët “patën një shkëmbim të thellë dhe të plotë të pikëpamjeve mbi marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe një sërë çështjesh kryesore që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin strategjik ndërkombëtar”. Shtëpia e Bardhë u përpoa ta minizimonte rëndësinë e takimit të Xi Jingping me Putin, ku u shpalos një aleancë strategjike dypalëshe e orientuar qartazi kundër Shteteve të Bashkuara.

“Ne mund të kontrollojmë marrëdhëniet tona dhe mbrojtjen e vlerave tona, si edhe përpiqemi të gjejmë mënyra për të punuar me vendet edhe kur nuk jemi dakord me ta,” tha zëdhënësja, Jen Psaki. Përkrahjes që mori nga Kina për NATO-n, Moska iu përgjigj me mbështetjen e saj për qëndrimin e Pekinit se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës.

Top Channel