PD zgjedh kandidatin për kryetar bashkie në Shkodër, Xhemal Bushati: Krenar për besimin tuaj

05/02/2022 19:12

Partia Demokratike ka prezantuar zyrtarisht kandidatin për kryetar të bashkisë së Shkodrës, Xhemal Bushati, propozuar unanimisht nga strukturat e degës.

Prezantimi i Bushatit është bërë nga nënkryetari i PD, njëkohësisht dhe drejtuesi politik i qarkut, Enkelejd Alibeaj, shoqëruar edhe nga deputetët e Shkodrës e Lezhës, si dhe kryetari degës së PD Shkodër.

Në fjalën e tij, Alibeaj vlerësoi figurën e kandidatit Xhemal Bushati duke thënë se është zgjedhja e duhur për Shkodrën.

“Rruga është e vështirë me ulje dhe ngritje. Shpesh kemi gabuar, por asnjëherë nuk jemi larguar nga vlerat e Partisë Demokratike. Prezantimi është e asaj çfarë na pret në 6 Mars. Është sfidë dhe sakrificë. Sfida është morale. Kemi pasur ne si Parti Denokratike kohë akoma dhe më të vështira se këto, por ia kemi dalë, siç do ia dalim edhe kësaj radhe. Partia Demokratike e ka stofin politik për t’i dal ballë këtyre sfidave, sidoms këtu në Shkodër.

Dje isha në Lushnje, por pyetja në fund ishte: Shkodra ç’thotë? Kjo pra është ajo vlerë, ajo histori që Shkodra ka për Partinë Demokratike. Në këto 30 ditë, më e rëndësishmja është që të trokasim në derën e çdo shkodrani me ndershmërinë më të madhe. Pastaj garancia jetër është Xhemal Bushati, njeriu i mirë, njeriu i ndershëm dhe i respektuar. Nuk do të na fal asnjëherë historia që kjo kala e demokratëve, të bie në dorë të të majtëve. Shkodra është e demokratëve dhe do t’u mbetet demokratëve” – tha Alibeaj.

Ndërsa Xhemal Bushati, i cili do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit për bashkinë e Shkodrës, falenderoi demokratët për besimin që i kanë dhënë dhe për të kjo është një përgjegjësi. Ai gjithashtu u shpreh besimplotë se më 6 Mars, Bashkia e Shkodrës do të fitohet nga Partia Demokratike.

“Mirdita të gjithëve demokratë, anëtarë të Kryesisë dhe deputetë! Unë e mora këtë përgjegjësi vetëm nga ju. Ndjehem krenar dhe shumë i përgjegjshëm për besimin që ju me keni dhënë. Unë ju falenderoj ju dhe të gjithë qytetarët e Shkodrës që po më mbështesin me sms në çdo moment. Ne jemi Partia Demokratike e Shkodrës dhe të gjithë bashkë do ta fitojmë Bashkinë e Shkodrës. 

Kjo për mua është shumë përgjegjësi. Ne do të punojmë të gjithë bashkë, për vlerat e ketij qyteti. Unë dyert e Bashkisë Shkodër i kam hapur edhe kur të tjerët i kanë mbyllur. Ndaj ua garantoj që dyert do të jenë të hapura vetëm për qytetarët e Shkodrës dhe më 6 Mars jam shumë besimplotë që ne do të fitojmë” – tha Xhemal Bushati.

Top Channel