KQZ la jashtë Berishën nga “Shtëpia e Lirisë”, PD depoziton ankimimin: Të shfuqizohet vendimi për koalicionin

05/02/2022 14:05

Partia Demokratike të shtunën ka ankimuar vendimin e Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Ankimimi është dorëzuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu.

Në ankimimin e tyre, PD thekson se kërkesa e depozituar në KQZ nga LSI për regjistrimin e koalicionit ka qenë jo e ligjshme, pasi Komisioni i Rithemelimit dhe PDK nuk janë regjistruar si parti për zgjedhjet e pjesshme vendore.

Kodi Zgjedhor përcakton qartë se si koalicion zgjedhor mund të regjistrohet vetëm dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ”, citohet nga kërkesa.

PD, nënvizon, se Komisioni i Rithemelimit nuk ekziston e regjistruar as si parti politike.

Sipas saj, Komisioni Rregullator ka parashikuar qartë se kërkesa për regjistrimin e koalicionit zgjedhor paraqitet brenda 24 orëve nga miratimi i kërkesave për regjistrimin e partive politike. Andaj, PD thekson, se ligji zgjedhor dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, nuk njohin koncepte të tilla si “përpara afatit”, por vetëm brenda afatit apo jashtë afatit.

Nisur nga ky fakt, PD thotë se kërkesës së paraqitur nga Lëvizja Socialiste për Integrim i mungonte cilësia e subjektit zgjedhore, çka nënkupton se as ajo dhe as parti të tjera politike, në këtë rast PDK, nuk legjitimohen për paraqitjen e kësaj kërkese.

Demokratët theksojnë se në vendimin e 4 shkurtit, KQZ pranoi se më datë 3 shkurt, nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për regjistrimin e koalicioneve, por çuditërisht, sipas tyre, edhe në mungesë të kësaj kërkese, Komisioneri i Zgjedhjeve vendos regjistrimin e këtij koalicioni, duke shpikur sipas PD-së një terminologji të re, pa referencë në legjislacionin shqiptar, kërkesë e paraqitur “përpara afatit”.

Të premten, KQZ vendosi që Komisioni i Rithemelimit të mbetet jashtë koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’. Sipas KQZ, emri i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike nuk do të shënohet në fletën e votimit dhe në asnjë dokument.

Më 1 shkurt Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit me Komisionin e Rithemelimit dhe PDK-në për zgjedhjet e 6 marsit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA