Buka në Kosovë do shtrenjtohet/ Çmimi do të rritet për shkak të çmimit të miellit

05/02/2022 15:06

Krahas rritjes së çmimit të rrymës, pritet që në Kosovë të rritet edhe çmimi i bukës.

Tashmë një bukë kushton 45 centë e pritet që të kushtojë 50 centë e më shumë. Furrtarët rritjen e mundshme e arsyetojnë me ndryshmin e çmimit të miellit.

Leonard Berisha – furrtar:Baza primare është mielli, sido që ngritet mielli detyrohemi të ngremë edhe çmimin e bukës.
Megjithatë, përpunuesit e miellit në Kosovë thonë që rritjen e çmimit do ta bëjnë në rast se rritet tarifa e energjisë elektrike.

Bashkim Zejnullahu – përfaqësues, Shoqata e Mullisëve: Përpunimi i miellit është i varur edhe nga energjia elektrike, ka një kosto që ndikon drejtpërdrejtë në përpunimin e grurit dhe kjo do të ndikonte edhe në fund tek çmimi i miellit.

Për këtë arsye, Shoqata e Mullisëve të Kosovës kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos aplikojë tarifa të rritura për ta.

Ndërkaq, për qytetarët e Kosovës, rritja e çmimit të bukës, karshi shumë çmimeve të tjera që janë rritur është e paarsyeshme.
Fatime Ahmeti – qytetare: Nuk është në rregull të rritet as çmimi i energjisë elektrike e as bukës duke e ditë që 50% e popullatës janë pa punë.

Fatmire Morina – qytetare: Për konsumatorin është keq edhe ajo edhe ajo. Se edhe rritja e çmimit të bukës, që është produkt esencial për ekzistëncë, ndoshta dikush nuk ka asnjë të ardhur.

Brenda muajit shkurt pritet të merret një vendim nga ZRRE-ja për rritjen e tarifave të energjisë në Kosovë, që do të mund të ndikonin në rritjen e çmimeve edhe në sektorë tjerë.

Top Channel