Bie qeveria e Malit të Zi, pro mocionit të mosbesimit votuan 43 deputetë

05/02/2022 01:40

Mali i Zi prej mbrëmjes së 4 shkurtit është pa një qeveri. Parlamenti i shtetit fqinj, votoi me 43 pro dhe 11 kundër, pa abstenime, mocionin e mosbesimit të kabinetit qeveritar të kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Seanca parlamentare e cila zgjati mbi 5 orë u shoqërua me debate të forta. Pika e parë e rendit të ditës, për votimin e shkurtimit të mandatit të parlamentit nuk u miratua nga deputetet pasi në të kundërt vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Më tej, iu hap rruga diskutimeve për pikën e dytë dhe atë më të rëndësishmen, mocionin e mosbesimit të qeverisë, e thirrur nga zv-kryeministri Dritan Abazoviç.

Para fillimit të procesit të votimit, deputetët e Frontit Demokratik së bashku me deputetët e SNP-së lëshuan sallën. Deputetët nga radhët e Demokratëve ishin kundër. Ashtu siç pritej, Abazoviç, mori mbështetjen e shumicës së të zgjedhurve. Pro shkarkimit të qeverisë votuan deputetët e partive dhe koalicioneve: PDS, URA dhe Civis, SDP, SD dhe Partitë e pakicave. Edhe tre deputetët shqiptarë në parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, Luigj Shkrela dhe Fatmir Gjeka kanë votuar pro shkarkimit të qeverisë.

Pas përfundimit të seancës parlamentare, në dalje, deputetët e partisë URA, u shprehën të gatshëm për qeverinë e re teksa mbështesin kolegun e grupit të tyre politik, Dritan Abazoviç si kryeministrin e ri. Të shtunën pritet të nisin diskutimet mes koalicioneve për kabinetin e ri qeveritar.

Top Channel