Pfizer kërkon autorizim për vaksinimin kundër COVID-it të fëmijëve nën 5 vjeç

04/02/2022 07:17

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer po u kërkon enteve rregullatore që të autorizojnë vaksinën e saj COVID-19 për fëmijët nën 5 vjeç, me doza shumë të ulëta. Nëse Administrata e Ushqimit dhe Barnave e miraton kërkesën, fëmijët e vegjël mund të fillojnë të imunizohen në fillim të muajit mars.

Vaksinat Pfizer për fëmijë nga 6 muaj në 5 vjeç përmbajnë vetëm një të dhjetën e dozës së dhënë për të rriturit. Në Shtetet e Bashkuara ka 19 milionë fëmijë nën 5 vjeç, grupi i vetëm që nuk kualifikohet ende për vaksinim kundër koronavirusit. Shumë prindër kanë ushtruar trysni për një zgjerim të imunizimit edhe tek fëmijët më të vegjël, veçanërisht pas një rritje të numrit të shtrimeve në spital për shkak të variantit Omicron.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha të martën se grupi i ekspertëve të pavarur do të mblidhet në mes të muajit shkurt për të analizuar të dhënat e kompanisë Pfizer. Agjencia nuk është e detyruar të zbatojë vendimin e grupit të ekspertëve, por sugjerimi i tyre është një hap kyç në verifikimin publik të sigurisë dhe efektivitetit të vaksinës.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave mund ta marrë vendim përfundimtar brenda muajit, por fjala e fundit mbi këtë çështje i takon Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Top Channel