Partia Demokratike nuk bëri përjashtim nga rregulli duke i miratuar më vonë nga të gjitha emrat e kandidatëve për zgjedhjet e 6 Marsit. Gara më e fortë elektorale pritet të jetë në 2 bashkitë e mëdha, Shkodër dhe Durrës.
Kampi demokrat e ka më të vështirë se kurrë për të ruajtur bastionin e saj, kryeqendrën e veriut për shkak të perçarjes. Kryesia e PD zyrtarizoi emrin e Xhemal Bushatit ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, i cili përballë do ketë jo vetëm kandidaturën e PS, Prefekten Majlinda Angoni, por edhe atë të Sali Berishës, që është ish-deputeti Bardh Spahia.
Garë e ethshme do jetë edhe në Durrës. Basha dhe Berisha kanë vendosur të garojnë me dy zyrtarët e Partisë Demokratike në këtë Bashki. Selia blu me kryetarin e degës Luan Hoti ndërsa grupi i rithemelimit me nënkryetarin e degës Ardian Muka. Edi Rama si deputeti më i votuar i qarkut do kërkojë ta ruajë Bashkinë me kryetaren në detyrë Emirjona Sakon.
Kandidati i Dibrës, biznesmeni Luan Haka mbajti peng zyrtarizimin e emrave të Partisë Demokratike për shkak të mungesës së konsensusit për emrin e tij. Sali Berisha me mbështetjen e LSI do synojë të rimarrë Bashkinë me arsimtarin Premtim Kryemadhi, ndërsa socialistët me bankierin Rrahim Spahiu.
Në Lushnje demokratët që mbështesin Bashën dhe Berishën tentuan një bashkim që dështoi duke bërë që të dilet me dy kandidatura të ndara. Lulzim Basha e synon Bashkinë me juristin e partisë Indrit Sefa ndërsa Sali Berisha i ka vendosur përballë juristin Elton Bano. Socialistët luajnë të sigurtë me kryetaren e komanduar Eriselda Sefa.
Në Vorë kryesia miratoi kandidaturën e Ymer Markut ish-kryetarit të njësisë administrive Bërxullë, ndërsa në Rrogozhinë Bashkia synohet të fitohet me kreun e degës Ferdinand Saraçi.
Top Channel