Pallatet në Laç/ PD: Rama mashtroi. Asnjë banor nuk ka marrë çelësat 3 javë pas inaugurimit me Erdogan

04/02/2022 15:43

Banorët ende nuk i kanë marrë çelsat e apartamenteve në qytetin e Laçit edhe pse ato u inaguruan tre javë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Lajmi është konfirmuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila përmes një shënimi në Facebook, thekson se “Rama edhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propogandë”.

Zhupa thotë se në kompleksin e pallateve të reja, ende nuk ka hyrë asnjë familje.

Gjithçka ishte një show, i vënë në skenë nga Edi Rama. Banorëve nuk u jep askush përgjigje pse nuk po futen akoma në shtëpitë e tyre. Sa më gjatë rrinë ata në shtëpi me qira, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet buxhetit, duke paguar bonusin e qirave, ndërsa shtëpitë e reja kanë përfunduar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë”, shkruan ajo.

Deputetja demokrate thotë se Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit, që po pengohen të hyjnë në shtëpitë e tyre, sipas saj, të inauguruara dy herë deri më tani.

Një herë nga Rama para Vitit të Ri, një herë nga Rama dhe Erdogan 3 javë më parë”, shprehet Zhupa.

Ka qenë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama ata qe prenë me 17 janar shiritin e inaugurimit të 522 apartamenteve të rindërtuara në Laç. Në këtë zonë qeveria turke ka mbështetur me mbi 40 milionë euro ndërtimin e 522 apartamenteve.

 

 

Top Channel