Mashtroi qytetarët dhe u vidhte paratë, arrestohet noterja në Tiranë. 2 muaj më parë i vendosën tritol në makinë

04/02/2022 11:09

Një 40-vjeçare me detyre notere është vënë nën prangat e policisë në Tiranë, pasi akuzohet të ketë shpërdoruar detyrën dhe të ketë vjedhur shuma monetare ng qytetarë të ndryshëm.

Bëhet fjalë për shtetasen Rezarta Koçi, e cila nga veprimet hetimore rezulton se gjatë ushtrimit të detyrës si notere ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.

Kujtojmë se, dy muaj më parë noteres iu vendos tritol në automjetin në pronësi të saj. Ngjarja ndodhi në një ndër lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit “Komuna e Parisit”, nga personave ende të paidentifikuar.

“Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:

– R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA