Macron “ha inat” me Erdoganin, presidenti francez hyn të ndërmjetësojë në Ukraine

04/02/2022 19:37

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan është angazhuar vazhdimisht këto kohët e fundit të ndërmjetësojë në krizën e Ukrainës me qëllimin të shmanget pushtimi rus atje.

Për këtë arsye, ai mbërriti në Kiev një ditë më parë ku u takua me homologun ukrainas, Volodimir Zelensky, ndërsa e ka ftuar dhe Vladimir Putinin në Turqi për bisedime.

Shefi i Elizesë Emmanuel Macron megjithatë, duket nuk ndihet rehat me rolin e negociatorit që Ankaraja po kërkon t`i veshë vetes. Macron, i cili ka pasur disa përplasje të forta publike më Erdogan, njoftoi se do të udhëtojë drejt Moskës e Kievit javën e ardhshme në përpjekje të ndërmjetësimit në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ai do të takohet së pari me Putin të hënën, dhe të nesërmen, pritet të zhvillojë bisedime me Zelensky. Mësohet se presidenti francez kohët e fundit ka biseduar disa herë në telefon me të dy liderët.

Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu planifikon të udhëtojë në Moskë “së shpejti”. Nga ana tjetër në Berlin është planifikuar po kështu një takim mes Macron, Scholz dhe presidentit polak Andzrej Duda është planifikuar gjithashtu në Berlin.

Top Channel