Facebook mbyll faqen e kamionistëve amerikanë anti-vaksina ‘Freedom Convoy’ (fotot)

04/02/2022 18:28

Një faqe në rrjetin Facebook ku po organizohej protesta e kamionistëve amerikanë kundër vaksinimit të detyruar është mbyllur dje nga gjiganti mediatik, çka quhej nga shoferët e rrugëve të gjata “censurë e pastër”.

“Freedom Convoy” (Karvani i Lirisë) i kamionistëve amerikane ndjek shembullin e kolegëve të tyre kanadezë duke drejtuar automjetet nga Kalifornia deri në kryeqytetin Uashington, DC, për të kundërshtuar rregullat e vaksinimit në të gjithë SHBA.

Faqja e grupit “Convoy to DC 2022” në rrjetin Facebook, u mbyll dje për shkelje të politikave mbi grupin ‘Qanon’, raportonte rrjeti Fox News .

Kamionisti Jeremy Johnson, i cili kishte krijur grupin në Facebook tha se edhe profili i tij personal ishte fshirë, prandaj kishte kontaktuar një avokat të të drejtave civile për ngritjen e padisë.

“Ata preferojanë t’i mbyllin gojën njerëzve që thonë të vërtetën,” tha Johnson për rrjetin Fox Neës.

Brian Brase, i cili ka ndihmuar në organizimin e protestës së kamionistëve amerikanë, tha se ishte i shtangur nga masa e censurës nga kompania Facebook, Meta.

“Më vjen për të qeshur,” tha Brase për Fox News. “Ata i kërkuan administratorëve të heqin postimet dhe nuk i dhanë as opsionin e marrjes në konsideratë të përmbajtjes.”

“Prezenca e aq shumë njerëzve tregon se ata janë të pakënaqur me atë që po ndodh”, tha protestuesi  Mike Landis duke shtuar se kamionistët kërkojnë heqjen e kërkesës së vaksinimit me anë të protestave paqësore.

Facebook ka njoftuar më herët se ndalon të gjithë administratorët dhe faqet e lidhura me grupin amerikan rebel-konspiracionist QAnon, kryesisht prej parimit të tyre se “qeveritë kontrollohen nga persona pedofilë që adhurojnë djallin”.

Ndërkohë dhjetra mijëra kamionistë dhe demonstrues kanë zbritur në kryeqytetin kanadez Ottawa për të sfiduar vaksinimet e detyruara të kryeminsitrit Justin Trudeau.

Ky i fundit është larguar nga zyra dhe njoftoi kësaj jave se kishte rezultuar pozitiv me virusin por demonstruesit thonë se është një justifikim për t’iu shmangur përballjes.

Kamionistët në SHBA kanë caktuar 1 marsin si ditën e protestës së tyre, sipas faqes  “Freedom Convoy to DC 2022”.

FOTO GALERI
1/3
Një faqe në rrjetin Facebook ku po organizohej protesta e kamionistëve amerikanë kundër vaksinimit të detyruar është mbyllur dje nga gjiganti mediatik

Top Channel