Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të premten ka reaguar për dënimin e ish-ministrit Saimir Tahiri me 5 vjet heqje lirie.
Në një shënim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se vendimi i sotëm për Saimir Tahirin, dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD-së për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
“Faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij”, tha Basha.
Sipas tij, Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën.
Të premten Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Gjykata lë në fuqi vendimin e shkallës parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuaj në burg dënimin me 5 vite heqje lirie. Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj.
Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit.
Top Channel