Basha: Varfëria në Shqipëri ka kapur nivelin afrikan, qeveria duhet të luajë rolin e saj

04/02/2022 12:58

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të premte ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të naftës në vend.

Në një takim me demokratët e degës Nr.4, në Tiranë, Basha thotë se niveli i çmimit të naftës në Shqipëri është afërsisht sa në Zvicër, ku sipas tij, rroga bazë është 16 herë më e lartë se në vendin tonë.

“Se me të vërtetë çmimi i naftës është rritur në të gjitha tregjet ndërkombëtare, po pse është më e ulët në Kosovë? Pse është më e ulët në Maqedoninë e Veriut? Pse është kaq e lartë në Shqipëri, sa është pothuajse në Zvicër ku marrin mesatarisht 16 herë më shumë të ardhura për frymë sesa në Shqipëri? T’i marrim një nga një: Kush e ka harruar taksën Rama mbi karburantet? 200 lekë plus TVSH-në, 240 lekë për litër, është vetëm taksa që ky ka vendosur mbi naftën, mbi benzinën. Dhe kur shkojmë në Parlament dhe i kërkojmë që ta heq, bën sikur ngatërrohet, bën dhe shejtanbudallain”, tha ai.

Kryedemokrati thotë se niveli i varfërisë në Shqipëri është i përafërt me nivelet afrikane.

Për këtë Basha akuzon qeverinë, duke i kujtuar asaj se çfarë roli ka për mbrojtjen e shtresave që preken më shumë nga rritja e çmimeve të naftës.

E patë para 3 ditësh, doli raporti i Transparency Internacional, prapë qeveria më e korruptuar në Ballkan. Çfarë do me thënë korrupsion qeveritar për njeriun e thjesht? Se në zhargonin politik do të thotë përplasje midis një pale dhe një pale tjetër. Por për qytetarët e këtij vendi, për të papunët e këtij vendi që vetëm shtohen, për familjarët e këtij vendi, për sipërmarrësit e këtij vendi, për punëdhënësit, për punëmarrësit, për pensionistët, për të rinjtë, për kryefamiljarët, do të thotë diçka tjetër. Le ta marrim nga çështja e fundit, ngritja e çmimit të karburantit, ngritja e çmimit të naftës”, deklaroi ai.

Kryedemokrati u ndal edhe tek niveli i taksave të aplikuara nga qeveria Rama.

Thotë, taksa e karbonit, jo mor jo, s’po të thotë njeri për taksën e karbonit. 3 lekë është taksa e karbonit, kjo është 24 lekë të reja. Le të ndalemi për një moment, ka më shumë se 6 vite apo 7 vite që kur e vuri në janar të 2014-ës, në qoftë se nuk gabohem, 100 lekëshin e parë dhe në janar të 2015-ës, 100 lekëshin e dytë plus TVSH-ën, që i merr këto lekë. Si i shpenzon? Cili është roli i qeverisë kur ndodh diçka e keqe për njerëzit? Si pandemia, si tërmeti, si rritja e çmimit të naftës? Është të amortizojë efektet negative. T’i zbus, ta bëjë pak më të lehtë jetën e njerëzve. Si mund ta bëjë këtë? Del ministrja sot pa pikë turpi, thotë do rritet edhe 6 muajt e ardhshëm çmimi i naftës”, tha ai.

Basha theksoi kategoritë që preken më shumë nga rritja e çmimeve janë familjet e varfra shqiptare dhe pensionistët. Sipas tij, këto dy kategori, nuk sigurojnë dot as bukën e gojës.

Gjysma e familjeve në Shqipëri që nuk paguajnë më shumë se një vakt të ngrohtë në ditë, për veten e tyre dhe fëmijët e tyre. Pensionistët që nuk mbyllin dot 10 ditë, jo muajin po nuk patën mbështetje nga fëmijët e tyre në emigracion”, tha ai.

Top Channel