A do përdorë Rusia një video të rremë për të pushtuar Ukrainën?

04/02/2022 11:49

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, John Kirby të enjten ka publikuar disa analiza të inteligjencës amerikane që argumentonin se Rusia po përgatit një material video me pamje të rreme për ta përdorur si pretekst për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Në video, inteligjenca amerikane thotë se do të shfaqej një sulm i rremë nga ushtria ukrainase kundër objektivave në territorin rus, ose kundër njerëzve që flasin rusisht dhe që janë në zonat e Ukrainës, ku dhe ndikimi rus është edhe më i fortë.

Qeveria ruse dëshiron që imazhet e publikuara të tregonin skena të dhunshme, shpërthime, kufoma dhe ndërtesa të shkatërruara, të gjitha këto pamje do të ishin false, por me synimin për të krijuar indinjatë në popull dhe për ta përdorur këtë zemërim si një argument të fortë për pushtimin e territorit ukrainas.

Meqenëse informacioni është mbledhur nga shërbimet e inteligjencës, përfundimet e nxjerra nga Kirby duhen marrë me shumë kujdes, edhe nëse ato gjykohen në pjesën më të madhe të tyre si të besueshme.

Pasi nuk është ende e qartë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti rus, Vladimir Putin dhe shumë analistë po pyesin prej javësh për qëllimet e tij të vërteta, por pa zbuluar asnjë përgjigje të saktë dhe përfundimtare.

Disa zyrtarë amerikanë, të cituar nga New York Times, thanë se për momentin nuk dihet asgjë me siguri se kush po përgatit videon, megjithëse ka dyshime për inteligjencën ushtarake ruse (e njohur edhe si GRU). Ned Price, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zbulojnë planin e supozuar të Rusisë për të bindur qeverinë ruse që mos ta zbatojë atë në praktikë.

Plani i një preteksti të rremë për të sulmuar Ukrainën u konfirmua për New York Times edhe nga një zyrtar britanik i inteligjencës.

Zëdhënësi i qeverisë ruse Dmitry Peskov iu përgjigj të enjten në darkë akuzave të ngritura nga SHBA, duke mohuar në mënyrë kategorike ekzistencën e një plani të tillë, ndërsa theksoi se nuk është hera e parë që Rusia akuzohet për gjëra të tilla të rreme.

Ambasadori rus në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, mbajti të njëjtën linjë, duke i thënë CNN se vendi i tij nuk ka plane për të pushtuar Ukrainën.

Ndërkohë, përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës janë praktikisht të bllokuara.

Përplasja e fundit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara u shënua të hënën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Takimi nuk përfundoi mirë dhe përfaqësuesit e të dy vendeve akuzuan njëri-tjetrin se donin të ushqenin dhunë. Ambasadori rus, Vasily Nebenzya, u ngrit dhe u largua kur kishte kohën për të folur ambasadori ukrainas.

Top Channel