Presidenti Joe Biden ka urdhëruar dërgimin e 2,000 trupave amerikane nga një bazë në SHBA tek bazat e NATO-s në Poloni dhe transferimin e 1,000 trupave të tjera amerikane nga Gjermania në Rumani, duke demonstruar si para aleatëve ashtu edhe armiqve angazhimin e Amerikës ndaj krahut lindor të NATO-s mes frikës së një pushtimi rus të Ukrainës, tha Pentagoni të mërkurën.
Rusia u përgjigj me një kundërshtim të ashpër, duke e quajtur vendimin për dislokimin e trupave amerikane të pabazë dhe “shkatërrues”.
Presidenti rus Vladimir Putin pati gjithashtu një shkëmbim të ri telefonik me kryeministrin britanik Boris Johnson. Por, deklaratat e lëshuara nga zyrat e këtyre dy udhëheqësve nuk dhanë shenja të arritjes së një përparimi. Sipas tyre, zoti Putin ka thënë se Perëndimi nuk po tregon asnjë përfillje për shqetësimet e Rusisë për sigurinë dhe zoti Johnson ka shprehur shqetësim të thellë për “aktivitetin armiqësor” të Rusisë në kufirin ukrainas, duke përmendur grumbullimin e mbi 100,000 trupave ruse atje.
Administrata e Presidentit Biden synon të demonstrojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara pa minuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Presidenti Biden qëllimisht nuk ka dërguar përforcime ushtarake në tre vendet baltike në krahun lindor të NATO-s, në Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik. Asnjë ushtar amerikan nuk po dërgohet në Ukrainë dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të mërkurën se administrata nuk e konsideron më rrezik “të menjëhershëm” pushtimin rust ë Ukrainës, sepse kjo shprehje do të nënkuptonte që Uashingtoni e di se zoti Putin ka marrë një vendim për të pushtuar fqinjin e tij. Zyrtarët thonë se qëllimet e presidentit Putinit mbeten të paqarta.
Megjithatë, rritja e nivelit të trupave amerikane në Evropën Lindore është pikërisht ajo që zoti Putin ka thënë se e sheh si të patolerueshme, së bashku me perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë disa mijëra trupa në Poloni dhe në Rumani është instaluar një sistem i mbrojtjes raketore i NATO-s që Rusia e konsideron si një kërcënim ndaj sigurisë së saj. Prania e Shteteve të Bashkuara në rajon është rritur që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se forcat amerikane që do të vendosen së shpejti në Evropën Lindore synojnë të forcojnë përkohësisht pozicionet mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
“Këto nuk janë lëvizje të përhershme”, tha ai, duke theksuar se qëllimi është të qetësohen aleatët. Zoti Kirby tha se Rusia po vazhdonte grumbullimin e trupave afër kufirit me Ukrainën, madje edhe në 24 orët e mëparshme, pavarësisht nga thirrjet e Shteteve të Bashkuara për uljen e tensioneve.
Në Moskë, një zyrtar i lartë tha se lëvizjet e Shteteve të Bashkuara do ta komplikojnë krizën.
“Hapat e pabazë shkatërrues vetëm sa do të nxisin tensionet ushtarake dhe do të ngushtojnë fushën e marrjes së vendimeve politike”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko në komentet e transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.
Nga 2,000 trupat amerikane që do të dislokohen në Evropë nga baza Fort Bragg në Karolinën e Veriut, rreth 1,700 janë pjesë e brigadës së këmbësorisë të Divizionit të 82-të Ajror, të cilët do të shkojnë në Poloni. 300 trupa të tjera janë nga Korpusi i 18-të Ajror dhe do të shkojnë në Gjermani. Rreth 1,000 trupa që ndodhen në Gjermani do të dërgohen në Rumani.
Pentagoni tha se nuk përjashtonte dërgimin e trupave të tjera, përveç atyre të njoftuara të mërkurën.
“Është e rëndësishme që t’i dërgojmë një sinjal të fortë zotit Putin dhe botës se NATO-ja është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët tanë”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një konferencë shtypi.
Me dislokimin e këtyre trupave si edhe vendosjen e 8,500 trupave në gatishmëri të lartë muajin e kaluar për t’u dërguar në Evropë nëse është e nevojshme, Shetet e Bashkuara synojnë të qetësojnë aleatët e NATO-s përballë grumbullimit të mbi 100, 000 trupave ruse pranë Ukrainës.
Uashingtoni ka thënë se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë për ta mbrojtur atë nga një sulm rus, por do të vendosë sanksione financiare mbi Moskën dhe do të dërgojë armë për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen.
Rusia, që vazhdon të jetë furnizuesi kryesor i Evropës me energji pavarësisht se është nën sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së, që nga aneksimi i Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, e minimizoi rëndësinë e sanksioneve shtesë duke e quajtur një kërcënim bosh./VOA/
Top Channel