Rusia intensifikon fushatën e dezinformimit në Ukrainë

03/02/2022 08:15

Kremlini po intensifikon një ofensivë dezinformimi që synon të demoralizojë Ukrainën dhe fuqitë perëndimore, duke përdorur transmetuesit shtetërorë rusë dhe personel në platformat e mediave sociale për të portretizuar Perëndimin si agresor dhe qeverinë në Kiev si një “qeveri kukull” të NATO-s, thonë zyrtarët perëndimorë dhe ekspertë të luftës së informacionit.

Mesazhet e frikshme në ditët e fundit kanë përfshirë pretendimet se forcat speciale ukrainase po planifikojnë të nisin të ashtuquajturat sulme me “flamur të rremë” në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore për të justifikuar veprimin ushtarak të NATO-s dhe se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të sulmojnë Rusinë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të kësaj jave në Kinë.

Mesazhi thelbësor është se NATO dhe Kievi paraqesin një kërcënim të madh për Rusinë, thonë ata.

Moska ka zhvilluar një fushatë të sofistikuar dhe të shumëanshme të luftës informative kundër Ukrainës që nga viti 2014, kur një kryengritje popullore rrëzoi presidentin ukrainas Viktor Yanukovych, një aleat i udhëheqësit rus Vladimir Putin. Menjëherë pas rrëzimit të zotit Yanukovych përmes revolucionit me ngjyra, për të cilin Moska fajësoi Perëndimin, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe pushtoi një pjesë të Donbasit, fillimisht duke përdorur përfaqësues të armatosur.

Udhëheqësit perëndimorë kanë frikë se zoti Putin është i përgatitur të pushtojë Ukrainën nëse nuk arrin të sigurojë lëshimet që dëshiron nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, të cilat në fakt do të krijonin për Rusinë një sferë ndikimi të ngjashme me epokën sovjetike në të gjithë Evropën Lindore. Ndër kërkesat kryesore të presidentit Putin është ofrimi i një garancie se NATO nuk do të zgjerohet kurrë drejt lindjes. Zyrtarët rusë mohojnë se kanë ndonjë qëllim për të pushtuar fqinjin e tyre, pavarësisht grumbullimit masiv ushtarak të paprecedentë përgjatë kufijve të Ukrainës. Ata akuzojnë fuqitë perëndimore se kanë shkaktuar alarm.

“Rrahjet e daulleve të propagandës së Kremlinit po bëhen gjithashtu dukshëm më të forta”, thotë Yevhen Fedchenko, bashkëthemelues i faqes së internetit që merret me kontrollimin e fakteve StopFake.org, e cila monitoron dezinformimin rus.

“Gjatë tetë viteve të fundit, Moska ka qenë në gjendje të dislokojë një arsenal mbresëlënës dhe në rritje të armëve të informacionit kundër Ukrainës”, tha zoti Fedchenko në një shkrim për Këshillin Atlantik, një institucion studimor me seli në Shtetet e Bashkuara.

“Ky arsenal përfshinë shfrytëzimin e mjeteve të ndryshme, nga ushtritë e vogla që bëjnë komente në internet deri të mediat kryesore të financuara me fonde të mjaftueshme që kombinojnë vlerat e prodhimit të klasit botëror me një mungesë shpesh thuajse të plotë të etikës gazetareske. Çdo element individual i këtij arsenali vepron nën kontrollin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Kremlinit. Së bashku, ato përsërisin dhe përforcojnë të njëjtat mesazhe të kuruara me kujdes, të krijuara për të justifikuar ose mbështetur në mënyra të ndryshme luftën e pashpallur të Rusisë ndaj Ukrainës”, thotë ai.

Formimi i mesazhit

Analistë të tjerë thonë gjithashtu se Kremlini po bën përpjekje të forta për të kontrolluar rrëfimin mbi zhvillimet në Ukrainë dhe për të përshtatur mesazhe për rusët dhe audiencat kryesore jashtë Rusisë.

Tom Southern, drejtor i projekteve speciale në Qendrën për Qëndrueshmërinë e Informacionit (CIR), një organizatë jo-qeveritare me seli në Britani që ekspozon aktivitetet e dezinformimit, thotë se ka dy anë të luftës së informacionit të Kremlinit – “çfarë po dërgohet në Ukrainë dhe çfarë po prodhohet për Ukrainën”. Ai thotë se propagandistët e Kremlinit punojnë në një spektër të gjerë që përdor deklaratat zyrtare të qeverisë ruse të transmetuara nga mediat e saj të mirëfinancuara vendase dhe ndërkombëtare, por amplifikojnë mesazhet kryesore duke përdorur faqet e mediave sociale dhe aplikacionet e mesazheve si “Telegram”.

“Kjo përfshin mesazhin se Ukraina është një shtet i dështuar dhe revizionizmi historik i Ukrainës dhe NATO-s, si një provokim ndaj Rusisë apo ndaj popullatës rusishtfolëse në Ukrainë”, thotë ai. Një mesazh kyç si për audiencën vendase ruse ashtu edhe për ato ndërkombëtare është se NATO është agresori dhe ka shkelur premtimet e bëra pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik për mos zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.

Udhëheqësi rus e ka theksuar shpesh këtë pretendim për NATO-n, duke akuzuar fuqitë perëndimore se kanë përfituar nga një Rusi e dobësuar dhe e çorientuar ndërsa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej. Dhe mashtrimi i supozuar i Perëndimit dhe shkelja e një zotimi solemn për të mos u zgjeruar, ka qenë një komponent i rëndësishëm në mesazhin e politikës së jashtme të Putinit, i cili e paraqet Rusinë si viktimë dhe palë të dëmtuar. Ky mesazh kyç po transmetohet në të gjitha mediat e kontrolluara nga Rusia dhe në platformat e mediave sociale, thonë ekspertët e dezinformimit.

Historianë të njohur me këtë çështje thonë se asnjë fushatë e tillë zyrtare nuk është ndërmarrë ndonjëherë. Në vitin 2014, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev tha në një intervistë se “Tema e ‘zgjerimit të NATO-s’ nuk ishte diskutuar fare” gjatë bisedimeve të tij me udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara.

Këtë vit, prodhimi i propagandës nga Kremlini është rritur në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, thotë Taras Shevchenko, zëvendësministër i kulturës dhe politikës së informacionit në Ukrainë. Faqet zyrtare internetit në Rusi janë shtytësit kryesorë, por teknologjia përdoret nga Kremlini për të “qarkulluar përmbajtje të dëmshme, armiqësore” dhe për të përhapur dezinformata, thotë ai. Zoti Shevchenko thotë se mesazhi dominues i Rusisë përfshin tre elemente kyçe: Ukraina është një shtet i dështuar, Rusia është paqësore dhe Perëndimi dëshiron luftë.

Transmetuesit perëndimorë janë ankuar në javët e fundit se mediat ruse të kontrolluara nga shteti kanë keqpërdorur raportet dhe pamjet e tyre duke i ndryshuar me komente të krijuara për të ndihmuar në formimin e mesazhit se Perëndimi po përgatitet për një sulm.

Ky është një variant i asaj që ekspertët e dezinformatave e quajnë “pastrim informacioni” – duke përdorur burime perëndimore për të minuar argumentet perëndimore, shpesh duke intervistuar “ekspertë” që janë në linjë me Moskën, por që kanë prejardhje të dyshimtë.

Qendra Mediatike e Krizave në Ukrainë, një organzatë jo-qeveritare që merr fonde edhe nga Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar se Kremlini po kërkon të nxisë tensionet me akuza të vazhdueshme se Ukraina po “përgatit provokime”. Kjo organizatë thotë se një shembull i kësaj përpjekjeje ishte një pretendim i fundit se Ukraina dhe NATO po planifikonin të fillonin një operacion klandestin të koduar “Shpata Dërrmuese” që do të përdorte pamje të rreme të agresionit rus dhe do ta përdorte atë si një pretekst për të sulmuar Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA