Erdogan në Kiev: Turqia e gatshme të presë samitin e krizës Rusi-Ukrainë (fotot)

03/02/2022 18:00

Ankaraja po bën pjesën e saj për uljen e tensioneve mes Kievit e Moskës, tha sot presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të ndërmjetësojë mes dy palëve.

Në vizitën e tij sot në Kiev, Erdogan konfirmoi mbështetjen e tij për integritetin territorial të  Ukrainës dhe ofroi të organizojë një samit krize Rusi-Ukrainë.

“Turqia është e gatshme të përkushtohet për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve të saj mike dhe fqinje në Detin e Zi,” tha Erdogan pas bisedimeve me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy duke shtuar se Turqia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, përfshi dhe Krimenë.

Erdogan sugjeroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të udhëtojë në Turqi pas paraqitjes së tij të premten në ceremoninë e hapjes së Lojrave të Pekinit.

Para konferencës së përbashkët të shtypit, zyrtarë të lartë turkë e ukrainas nënshkruan një total prej tetë marrëveshjesh ekonomike mes dy vendeve.

Ukraina e Rusia janë në një konflikt që prej luftimeve në rajonin Donbas që nisën në vitin 2014 pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Tashmë Rusia besohet se ka akumuluar mijëra trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, duke nxitur frika se mund të sulmojë ish-republikën sovjetike.

Moska mohon se po përgatitet të sulmojë dhe dënon atë që quan “histeri të mediave perëndimore me qëllim rritjen artificiale të tensioneve në rajon”.

FOTO GALERI
1/3
Ankaraja po bën pjesën e saj për uljen e tensioneve mes Kievit e Moskës, tha sot presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

Top Channel