
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mbërriti në Kiev ku u prit me nderime të larta shtetërore nga homologu Volodimir Zelenski, që në këto momente të vështira, padyshim e vlerëson mjaft mbështetjen e Ankarasë.
Vizita e Erdoganit vjen në vazhdën e përpjekjeve të kreut të shtetit turk për të ndërmjetësuar në krizën e krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë, që ka grumbulluar 100 mijë trupa në kufirin me vendin fqinj.
Përpjekja diplomatike e Erdoganit vjen në kohën kur Moska i akuzoi Shtetet e Bashkuara se i “hedhin benzinë zjarrit” e po rrisin tensionet me dërgimin e 1.000 ushtarëve në Rumani dhe 2.000 të tjerëve në Poloni, për të forcuar krahët lindorë të NATO-s.
Turqia ruan marrëdhënie të mira si me Kievin, ashtu edhe me Moskën dhe Erdogan është ofruar me kohë të bisedojë me të dyja palët shtensionimin e situatës.
Por si vend anëtar i NATO-s, ajo nga sa pohoi më herët presidenti turk, në rastin e shpërthimit të një konflikti, do të rreshtohet në krahun e aleancës veri-atlantike.
Ndërkohë që Erdogan zbriste në Kiev, ministria ruse e mbrojtjes publikonte pamjet e sistemeve antiajrore ruse S400 që mbërrinin në Bjellorusi.
Veprimet që po shohim së fundi, tha zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov duke iu referuar lëvizjes së trupave amerikane, tregojnë se nuk po synohet ulja e tensioneve, përkundrazi, po shkohet drejt ashpërsimit të tyre.
Peskov i mëshoi idesë se shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s në lindje janë absolutisht të justifikuara dhe çdo masë qe merr Moska për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e veta, është ajo çfarë dikton logjika.
Top Channel