“Deri në pikën e fundit të gjakut”, kryebashkiaku Klitschko betohet të mbrojë Kievin

03/02/2022 19:42

Vitaly Klitschko, kryetar i bashkisë së Kievit dhe ish kampion bote në boks për peshat e rënda, vizitoi së fundi bashkë me vëllain e tij, Wladimir, edhe ai kampion boksi, një qendër rekrutimi për vullnetarë që janë gati të rrokin armët në rastin e një agresioni rus në Ukrainë. Klitschko u zotua ta mbrojë deri në fund qytetin, me të gjithë forcën e tij.

Ne jemi një komb miqësor e paqedashës, kurrë nuk kemi qenë agresivë me vendet e tjera. Por nëse dikush bëhet agresivë, atëherë do të na duhet të mbrojmë vendin tonë, të ardhmen tonë, familjet tona. ne nuk jemi të dobët, agresorët këtë gjë duhet ta kuptojnë. Po sulmuan Ukrainën, edhe ata kanë për të paguar një çmim shumë të shtrenjtë, sepse jemi gati të luftojmë”.

Nuk janë të paktë ukrainasit që ndajnë të njëjtin qëndrim.

52-vjeçarja Mariana Zhaglo, nënë e tre fëmijëve punon në fushën e marketingut, por  thotë së është gati të marrë armën e të luftojë për të mbrojtur vendin e saj, edhe pse mund të rrezikojë jetën.

Shkova dhe bleva një pushkë. Jo për gjueti kafshësh e as njerëzish, por sepse dua të mësoj si të përdor armën, si të qëlloj me të. Ka shumë të tjerë si unë atje jashtë. Shumë gra që duan të bëjnë të njëjtën gjë. Në radhë të parë, ne jemi nëna. Një grua do të bënte çdo gjë për të mbrojtur fëmijët e saj, familjen e saj”.

Edhe pse autoritetet ukrainase insistojnë se rreziku për një pushtim të plotë nuk është dhe aq i madh, frikën e një sulmi rus mbi Ukrainë e shton fakti që ekziston një precedent, e ai është aneksimi i  gadishullit ukrainas të Krimesë në 2014 nga Moska.

Top Channel