Pamje të rënda/ 12 emigrantë gjenden të vdekur nga i ftohti në kufi, roja kufitare i kishte detyruar të zhvisheshin

02/02/2022 12:58

12 trupa të pajetë janë zbuluar këtë të mërkurë pranë një zone kufitare mes Turqisë dhe Greqisë.

Lajmi u publikua nga ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, në rrjetin social Twitter. Ai shkruan se trupat e pajetë mendohet se i përkasin një grupi prej 22 emigrantësh që u kthyen në Turqi nga rojet kufitare greke.

Soylu tha se viktimat u zbuluan pranë pikës kufitare Ipsala, mes Turqisë dhe Greqisë, duke theksuar se autoritetet dyshojnë se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta, ndërsa trupat e pajetë, sipas tij, ishin të “zhveshur” dhe pa këpucë.

Ai tha se rojet kufitare fillimisht i kanë detyruar emigrantët të heqin këpucët dhe xhupat dhe më pas i kanë kthyer mbrapsht.

Kjo është barbari. 12 emigrantë gjenden të ngrirë në mes të ftohtit pa këpucë dhe veshje të trasha. BE është pa zgjidhje”, shkruan ai në Twitter.


Ministri nuk ka preferuar të japë detaje të tjera, por ka akuzuar rojet kufitare greke për sjellje “mizore” dhe Bashkimin Evropian për një tolerancë të pakuptueshme ndaj Greqisë.

Turqia ka akuzuar prej kohësh Greqinë fqinje se po i shtyn ilegalisht emigrantët që duan të hyjnë në Evropë. Por kjo e fundit i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Turqia është një pikë kalimi kryesore për emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Shumica e emigrantëve të ardhur nga këto vende përpiqen të kalojnë në Greqi ose përmes kufirit tokësor ose përmes rrugëve detare.

 

Top Channel