Basha: Lufta ndaj Edi Ramës do të jetë një opozitarizëm i pakompromis

02/02/2022 12:31

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të mërkurë në një takim me anëtarët e degës 14 në Tiranë është shprehur se lufta e demokratëve ndaj Edi Ramës do të jetë një opozitarizëm i pakompromis. Në këtë betejë, siç e quan ai, kryedemokrati fton t’i bashkohen të gjithë shqiptarët e ndershëm.

Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike! Rreth këtyre vlerave na janë bashkuar dhe të tjerë, edhe njerëz që jo domosdoshmërisht fillimisht e kanë parë shpresën tek Partia Demokratike. Sot po bashkohen edhe më shumë”, tha ai.

Për kreun e PD-së, pas vendimeve të marra në Kuvendin Kombëtar, shumica dërrmuese e shqiptarëve ka një shpresë për të ardhmen e vendit.

Iu siguroj se kjo shpresë nuk janë tre kalorësit e apokalipsit”, tha Basha, duke shtuar më tej se shpresa e këtij vendi nuk janë as mbetjet e të shkuarës dhe as treshja e tranzicionit që kërkon ta mbajë, sipas tij, vendin peng.

Ai thekson se e vetmja alternativë qeverisje e vendit është Partia Demokratike, anëtarët e kësaj partie, qytetarët e ndershëm dhe rinia shqiptare.

Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruajtur mua dhe jam i sigurt iu kanë shkruajtur dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruajtur publikisht në Facebook, kritikë të rreptë të mi është ta them butë, kritikë të egër, dhe i shkruajnë; “Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë! Partia demokratike është e demokratëve! Partia demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar”, tha Basha.

Sipas tij, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, nuk do të përlyhet nga hijet e korrupsionit.

Kohët janë të errëta, sfidat janë të mëdha, por çfarë është shqiptare do të mbetet shqiptare, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, e nuk do të përlyhet as nga hijet e korrupsionit, as nga mbetjet e të shkuarës, dhe as nuk do të lejojmë të komprometojnë e të mbajnë peng Shqipërinë, e të mbajnë në vend Shqipërinë. Jemi kaq afër arritjes, i një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar”, tha kryedemokrati.

Top Channel