Shkarkim ose jo? Sot mbahet gjyqi për presidentin, Meta publikon fotografi me kamarierin: Po përcjellim për në Gjykatë…

01/02/2022 09:39
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vendimin që pritet të japë sot Gjykata Kushtetuese, shkarkim ose jo. Në një fotografi të postuar mëngjesin e sotëm, Meta ka postuar foto me kamarierin Landi ndërsa zbulon dhe personat që do ta përfaqësojnë në Kushtetuese.

“Bashkë me Landin duke përcjellë Bledin dhe Katrinën për në Gjykatë”, shkruan Meta, ndërkohë që postimin e tij e shoqëron me dy gishtat lart.

Seanca pritet që të nisë në orën 10:00, ndërsa presidenti Meta nuk do të jetë i pranishëm.

Shkak për nisjen e procedurave të shkarkimit të Metës, u bënë përplasjet me mazhorancën për zgjedhjet lokale të 2019 apo për dhjetëra dekrete që presidenti ka kthyer pas në Parlament apo emërimin e disa ministrave.

Edhe për zgjedhjet e 25 prillit, presidenti akuzohet se ka mbajtur qëndrime në fushatë.

Sipas maxhorancës, Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjellje, të cilat në vlerësimin e deputetëve përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Ndër të tjera, Ilir Meta ka zbuluar se mezi po pret të heqë kostumin e presidentit më 22 korrik, datë kur i mbaron mandati.

“Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, z. Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, ka nxitur konfliktin politik.

Deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit në atë periudhë qartazi favorizojnë partitë opozitare dhe njëkohësisht denigrojnë maxhorancën, duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës. Mesazhet publike të Presidentit një ditë para ditës së votimit, e rregulluar ligjërisht si dita e heshtjes zgjedhore në respekt të së drejtës kushtetuese të individëve për të zgjedhur.

Mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri si persona të shituar e të blerë nga maxhoranca apo Kryeministri, cenuan rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjike të Shqipërisë si BE-ja dhe SHBA-ja”, thuhej mes të tjerave në arsyetimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA