Makina bie në lumë, tre viktima/ Humbin jetën burrë e grua. 3 të plagosur, mes tyre rëndë një fëmijë

01/02/2022 15:02

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në aksin Elbasan Librazhd në vendin e quajtur kthesat e Murrashit.

Një mjet tip benz ML ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin, nga një lartësi prej 300 metrash. 3 persona kanë humbur jetën ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Një fëmijë në gjendje kome dhe një vajzë tjetër e plagosur rëndë. Bilanci mund të jetë edhe më tragjik orët në vijim.

Për më shumë se dy orë ekipet e policisë, zjarrfikëses, ekipet e emergjencave, drejtues mjetesh dhe familjarë janë angazhuar për të nxjerrë njerëzit e përfshirë në aksident të cilët mbetën në makinë.

Dy persona u nxorën fillimisht të pajetë, një çift bashkëshortësh, ndërsa një djalë 18 vjeçar u nxor dy orë më pas nga makina e dëmtuar në ujërat e lumit.

Duket se në këtë aksident për të mësuar shkaqet e tij nuk ka nevojë për ekspertë, mjafton të shihni këto pamje. Këto gurë kanë rënë në këto momente nga shpati i malit ndërkohë e njëjta situatë ka qenë gjatë gjithë mëngjesit të sotëm që kur kanë filluar reshjet e shiut.

Edhe pse do të presim një version të plotë të ekspertëve për shkaqet e këtij aksidenti , nga ajo që mund të shihet qartë, një mjet i cili udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, ka tentuar të evitojë gurët të cilët ndodheshin në rrugë e për pasojë i ka zënë rrugën mjetit tip ML, që vinte në drejtimin tjetër, nga Librazhdit në drejtim të Elbasanit.

Për të evituar mjetin përballë, por edhe për shkak të kohës së keqe, terrenit të rrëshqitshëm, por edhe shpejtësisë, mjeti tip ML nuk ka mundur të evitojë aksidentin e për pasojë ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin.

Të cilësuara si kthesat e vdekjes, ky nuk është rasti i parë i aksidenteve në Kthesat e Murrashit, për shkak të rënies së gurëve nga shpati i malit sa herë ka reshje shiu. në vitin 2013 një mjet përfundoi në ujërat e lumit Shkumbin, në atë kohë humbën jetën burrë e grua.

Disa ditë më pas, sërish në Mars të vitit 2013 një tjetër mjet ra në Shkumbin, fatmirësisht pa pasoja. Raste të tilla janë të shumta dhe thuajse të përditshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA