Kriza në Ukrainë/ SHBA merr një përgjigje me shkrim nga Rusia

01/02/2022 07:17

Shtetet e Bashkuara kanë marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia pasi Uashingtoni iu përgjigj me shkrim javën e kaluar kërkesave të Moskës lidhur me ngërçin e krijuar mbi Ukrainën. Lajmi u bë i ditur të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Mund të konfirmojmë se kemi marrë një përgjigje me shkrim nga Rusia. Do të ishte joproduktive ta diskutonim atë në publik. Do t’ia lëmë Rusisë të vendosë nëse do ta diskutojë përgjigjen e saj”, tha zëdhënësi.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut për të trajtuar këto çështje dhe do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Ukrainën”, shtoi më tej ai.

Rusi-SHBA, debat i ashpër në OKB mbi Ukrainën

Përgjigjja vjen pas debash të nxehta mes palëve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia akuzoi Perëndimin të hënën për “rritje të tensioneve” mbi Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara kishin sjellë “nazistët e pastër” në pushtet në Kiev, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një debat të stuhishëm dhe luftarak mbi grumbullimin e trupave të Moskës pranë fqinjit të saj jugor.

Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield u kundërpërgjigj duke thënë se forca ushtarake në rritje e Rusisë prej më shumë se 100,000 trupash përgjatë kufijve të Ukrainës ishte “mobilizimi më i madh” në Evropë në dekada, duke shtuar se ka patur një rritje të sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit nga ana e Rusisë.

“Ata po përpiqen, pa asnjë bazë faktike, të përshkruajnë Ukrainën dhe vendet perëndimore si agresorë për të sajuar një pretekst për sulm,” tha ajo. Shkëmbimet e ashpra në Këshillin e Sigurimit erdhën pasi Moska humbi një përpjekje për të bllokuar takimin që gjë reflektoi hendekun midis dy fuqive bërthamore. Ishte seanca e parë e hapur ku të gjithë protagonistët e krizës në Ukrainë folën publikisht, edhe pse organi më i fuqishëm i OKB-së nuk ndërmori asnjë veprim.

Edhe pse këtë javë pritet më shumë diplomaci e nivelit të lartë, bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë deri më tani nuk kanë arritur të ulin tensionet, me Perëndimin që thotë se Moska po përgatitet për një pushtim. Rusia mohon se ka kërkuar që NATO-ja të premtojë se kurrë nuk do të lejojë Ukrainën të bashkohet me aleancën, të ndalojë vendosjen e armëve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.

Ambasadori rus Vassily Nebenzia akuzoi administratën Biden për “rritje të tensioneve dhe retorikës dhe provokim të përshkallëzimit”. “Ti thuajse po kërkon që kjo të ndodh”, tha ai, duke parë nga ambasadorja Thomas-Greenfield. “Ju dëshironi që të ndodhë. Ju jeni duke pritur që kjo të ndodhë, sikur doni që fjalët tuaja të bëhen realitet.” Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për rrëzimin nga pushteti të një presidenti mik të Kremlinit në Kiev në vitin 2014, duke thënë se kjo solli në pushtet “nacionalistët, radikalët, rusofobët dhe nazistët e pastër” dhe krijoi antagonizmin që ekziston midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Nëse ata nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë ne deri më sot do të jetonim në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë,” tha ambasadori Nebenzia. “Megjithatë, disa në Perëndim thjesht nuk e pëlqejnë këtë skenar pozitiv. Ajo që po ndodh sot është një përpjekje tjetër për të krijuar një nyjë mes Rusisë dhe Ukrainës”. Ambasadori Nebenzia u largua menjëherë nga salla ndërsa ambasadori ukrainas filloi të fliste, duke ia lënë vendin zëvendësit të tij.

Votimi për mbajtjen e një takimi të hapur u miratua 10-2, ku Rusia dhe Kina kundërshtuan ndërsa India, Gaboni dhe Kenia abstenuan. Nëntë vota ishin të nevojshme për t’u miratuar hapjen e takimit. Presidenti Biden tha në një deklaratë se takimi ishte “një hap kritik në bashkimin e botës për të folur me një zë” për të refuzuar përdorimin e forcës, për të kërkuar uljen e përshkallëzimit ushtarak, për të mbështetur diplomacinë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga çdo anëtar “për tu përmbajtur nga agresioni ushtarak kundër fqinjëve të tij.”

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken nuk bënë ndonjë përparim të dukshëm në zbutjen e tensioneve në takimin e tyre në Gjenevë në fillim të këtij muaji. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse ata pritet të flasin me telefon të martën. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit konfirmoi njoftimin. Presidenti Biden paralajmëroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një telefonatë të enjten se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia mund të fillojë një inkursion në shkurt, por udhëheqësi ukrainas u përpoq të minimizonte frikën e luftës.

Zoti Zelenskyy tha të premten se “ne nuk po shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se më parë” dhe theksoi se grumbullimi rus mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar “presion psikologjik” dhe për të mbjellë panik./VOA

Top Channel