Ish kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme gjashtë kandidatët fitues të Primareve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Berisha prezantoi fillimisht Bardh Spahinë që do të garojë bashkinë Shkodër dhe më pas Ardian Mukën, që do të garojë për bashkinë Durrës. Pak fjalës së këtij të fundit, Berisha nuk kurseu ‘thumbin’ për Vangjush Dakon që shkaktoi të qeshura mes kandidatëve dhe Floriana Garos.
Bardh Spahia, Shkodër: Dua të them që dje kam asistuar në një nga garat më të jashtëzakonshme me një emocion të veçantë, u bëra pjesë e një dite historike për PD dhe për politikën shqiptare. Gara e djeshme e realizuar nga struktura e PD ishte shpresëdhënëse për të ardhmen dhe riktheu rëndësinë e votës së lirë si e drejta absolute, bazike e tyre për të përzgjedhur ata që do t’i përfaqësojnë në nivele të ndryshme.
Kam ndjekur me emocion të veçantë interesin e qytetarëve shkodranë që në orët e para të mëngjesit me radhë të stërgjata deri në orët e vona të darkës me përkushtim dhe interesim të vecantë, gjë që më faktoi se kjo mënyrë përzgjedhje ka qenë e shumëpritur nga anëtarësia e PD dhe qytetarët shqiptar të të gjitha bindjeve. Jam i bindur se do të vijojmë rrugëtimin tonë dhe të bashkëpunojmë ngushtë për të fituar zgjedhjet.
Ardian Muka, Durrës: Jam anëtar i PD prej 15 vitesh dhe simpatizant e pjesëmarrës prej 30 vitesh. Në Durrës do ia kthejmë qytetin qytetarëve. Jam i bindur që kësaj radhe, Durrësi do të jetë i qytetarëve.
Berisha: E thatë bukur, prej 20 vitesh, Durrësi është viktimë e një peshkaqeni, por tani do ia tregojmë vendin.
Top Channel