
Goditja e dytë e Interit në merkaton e janarit mban emrin e Felipe Caicedos.
Zikaltrit kanë zyrtarizuar afrimin e sulmuesit ekuadorian nga Genoa në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni. 33-vjeçari ribashkohet kështu me trajnerin Simone Inzaghi me të cilin bëri paraqitje shumë të mira te Lazio gjatë 4 sezoneve të fundit.
Në verën e vitit të shkuar Caicedo u transferua te Genoa por në kampionat me skuadrën ligure shënoi vetëm një gol duke mos u përshtatur si duhet.
Te Interi Caicedo do të jetë një vlerë e shtuar aq më tepër që zikaltrit do të vuajnë mungesën e Joaquin Correas për disa javë. Felipe Caicedo ka qenë një futbollist që grumbullohej rregullisht edhe nga përfaqësuesja e Ekuadorit deri në momentin që u tërhoq, teksa me kombëtaren e vendit të tij ka shënuar edhe 22 gola.
Top Channel