Shembet ura pak përpara mbërritjes së Biden: Mirënjohës ekipeve të shpëtimit

29/01/2022 17:13

Një urë me dy korsi u shemb në Pitsburg të Pensilvanisë vetëm disa orë përpara se qytetin ta vizitonte presidenti Joe Biden, i cili do të bënte aty pikërisht miratimin e projektligjit të tij të shumëdiskutuar prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën, i cili përfshin mirëmbajtjen e urave.

Ekipet e emergjencës u detyruan të zbrisnin rreth 46 metra në brendësi, ndërsa të tjerë formuan një zinxhir njerëzor për të ndihmuar në shpëtimin e shumë njerëzve nga një autobus që kishte mbetur i varur në urë.

10 persona mbetën të plagosur, por fatmirësisht nga ngjarja e rëndë nuk pati viktima.

Në zonë u dërguan gjithashtu dronë për t’u siguruar që askush të mos kishte mbetur nën ndonjë seksion të shembur.

Zyrtarët e qytetit thanë se shembja shkaktoi një rrjedhje gazi, por tashmë situata ndodhet nën kontroll.

Autoritetet u kërkuan drejtuesve të automjeteve që të shmangin zonën. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë sqaroi se Biden do të vazhdojë me planet për të shkuar në Pitsburg.

Ekipi ynë është në kontakt me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë në terren ndërsa ata vazhdojnë të mbledhin informacione për shkakun e shembjes”, thuhet në deklaratë.

Presidenti u është mirënjohës ekipeve të shpëtimit që nxituan për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve që ndodheshin në urë në atë moment”.

Top Channel