Policia kap 20,000 arra kokosi të mbushura me ‘lëng kokaine’ nga Kolumbia drejt Italisë (fotot)

29/01/2022 15:21

Policia anti-droga e Kolumbisë ka sekuestruar një dërgesë madhore prej 20,000 arra kokosi të mbushura me kokainë të lëngshme, pak para se të niste rrugëtimin drejt Evropës.

Kapja u bë në portin e Cartagena, në brigjet kolumbiane të detit të Karaibeve, nga ku arrat e kokosit po niseshin drejt Genoas në Itali.

Prokuroria dhe njësia anti-droga e Kolumbisë kontrolluan ngarkesën e frutave që po transportoheshin në 504 thasë lecke, dhe zbuluan se qumështi natyral i kokosit ishte zëvendësuar me një tjetër lëng që ishte injektuar brenda kokrrave.

“Pas inspektimit u zbulua se lëngu i frytit tropikal ishte zëvendësuar me kokainë të lëngshme,” tha prokuroria qendrore kolumbiane në një deklaratë.

Frutat u dërguan në laborator për inspektime të mëtejshme për të përcaktuar sasinë e saktë të kokainës në çdo arrë kokosi.

Asnjë arrestim nuk është bërë deri tani por prokuroria tha se po hetophet për të zbuluar origjinën e mallit dhe përgjegjësit e trafikut.

Prodhimi i kokainës në Kolumbi raportohet më i lartë se kurrë duke arritur rekordin në 2017 sipas një raporti nga agjencia e drogave e OKB.

Shumica e kokainës që vjen në Evropë hyn nga Spanja dhe Italia, si dhe nga portet e mëdha të Holandës dhe Belgjikës në veri.

FOTO GALERI
1/5
Policia anti-droga e Kolumbisë ka sekuestruar një dërgesë madhore prej 20,000 arra kokosi të mbushura me kokainë të lëngshme

Top Channel