SHÇBA ka përfunduar me sukses një operacion kundër lojërave të fatit, në kuadër të të cilit është arrestuar një person, janë procedur penalisht në gjendje të lirë tre punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim katër persona të tjerë.
Punonjësit e policisë me pozicion Ndihmës Specialist të Policimit, janë proceduar penalisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në lidhje me një lejimin e një bar kafeje për ushtrimin e lojërave të fatit.
Pas kontrollove të kryera, policia mundi të sekuestrojë një sasi vlere monetare, njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje të tjera për ushtrimin e veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Në pranga u vu shtetasi B.J., 43 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe katër persona të tjerë
Njoftimi i plotë i SHÇBA:
Korçë – SHÇBA, operacion kundër lojërave të fatit. 1 shtetas i arrestuar, 4 në kërkim si dhe 3 punonjës policie procedohen në gjendje të lire.
Në kuadër të procedimit penal nr. 515, viti 2021, regjistruar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, nga ana e SHÇBA Elbasan-Korçë, me mbështetjen e DPPSH dhe dy grupeve të FNSH Tiranë u zhvillua operacioni i koduar “Basti i fundit”, në kuadër të të cilit janë ushtruar kontrolle në disa ambiente bar-kafe.
Pas kontrolleve të kryera në disa ambiente ku janë gjetur sasi vlerash monetare, njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje të tjera për ushtrimin e veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, SHÇBA referoi materiale shtesë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në gjendje të lirë për 3 punonjës policie:
– S.H., 63 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Devoll;
– P.A., 62 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë, Bashkia Pustec;
– A.P., 61 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe proceduriale pas kontrolleve të kryera në këto ambiente, u arrestua në flagrancë shtetasi B.J., 43 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
U shpallën në kërkim 4 shtetas:
– M.P., 41 vjeç, për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;
– A.T., 33 vjeç, lidhje bashkëpunuese në aktivitetin e lojrave të fatit me shtetasin M.P. dhe i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;
– I.Ç., 24 vjeç, i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
– P.M., 55 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë vazhdojnë veprimet proceduriale për dokumentimin me prova ligjore në lidhje me përfshirjen e punonjësve të policisë së DVP Korçë, si dhe të shtetasve të lartpërmendur në këtë aktivitet të paligjshëm.
Top Channel