Kryeministri Edi Rama të shtunën ka treguar se deri mesnatën e kaluar mbi 82 mijë qytetarë shqiptarë i janë përgjigjur të 12 pyetjeve të anketës së Këshillimit Kombëtar.
Në një shënim të shkurtër në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama ka falenderuar qytetarët shqiptarë, duke iu dhënë atyre garanci se opinioni i shprehur nga ata do të dëgjohet.
Ai i ka ftuar ata “të dëgjojmë njëri-tjetrin si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz të këtij vendi, duke dalë nga llogoret politike për t’u bashkuar në hapësirën e debatit për shtëpinë tonë, Shqipërinë”.
“40.000 qytetarë janë përfshirë deri mbrëmë në orën 00:00 në Këshillimin Kombëtar – 40,236 i kanë dhënë opinionet e tyre përmes platformës ëëë.keshillimikombetar.al dhe mbi 2,500 kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar💌Faleminderit të gjithëve me garancinë se opinioni i tyre do të dëgjohet me respekt. Ju lutem jepeni mendimin tuaj në pyetësorin #KëshillimiKombëtar🇦🇱 përmes postës ose linkut www.keshillimikombetar.al #LeTëDëgjojmëNjëriTjetrin si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz të këtij vendi, duke dalë nga llogoret politike për t’u bashkuar në hapësirën e debatit për shtëpinë tonë, Shqipërinë”, shkruan Rama.
Nisma e Këshillimit Kombëtar është fjala kyçe për Qeverinë e Shqipërisë në fillimin e vitit 2022, pasi u paralajmërua nga vetë Rama, në fund të 2021-shit.
Nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, Rama ka ftuar herë pas here qytetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi.
Duke qenë se ai mund të kryhet edhe online, ftesat e tij vijnë në formën e postimeve, duke nxjerrë pyetje të caktuara, të cilat janë pjesë e Këshillimit.
Janë 12 çështjet mbi të cilat qytetarët pyeten për sa i përket Këshillimit Kombëtar dhe jashtë kuadrit të tyre nuk mund të dilet.
Parimisht, shumica e tyre luajnë me dualitetin e çështjeve, duke propozuar një opsion dhe duke pyetur nëse personi është apo jo me të njëjtin mendim me pohimin.
Po ashtu, ka edhe një kuti për ata që nuk duan të gjykojnë mbi një çështje të caktuar.
Ato më interesantet, mbeten disa, në rrafshe të gjerë.
Prej tyre, spikat pyetja nëse kultivimi i kanabisit duhet ose jo të lejohet, me qëllim përdorimin e produktit për qëllime mjekësore. Gjithnjë, në një proces të kontrolluar nga shteti.
Po ashtu, pyetje me rëndësi lidhen edhe me politikën e jashtme të vendit. Fakti nëse Shqipëria duhet ose jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut për integrimin evropian apo dobinë e nismës “Open Balkan”, janë pjesë e anketimit publik.
Një pikë interesante është edhe aplikimi i paraqitjes së certifikatës së vaksinimit në hapësira publike të mbyllura.
Shqipëria këtë masë momentalisht e ka vendosur vetëm për administratën shtetërore, supermarketet dhe qendrat tregtare.
Masat ndaj evazionit fiskal, janë po ashtu çështje me rëndësi në pyetësor. Mbi të gjitha, kur një paralajmërim i hapur është bërë nga vetë kryeministri, pas rrjedhjes së të dhënave të pagave për qindra mijëra qytetarë.
Një vend e zë dhe ndotja publike, apo procesi i vetting-ut tek pushteti legjislativ.
Top Channel