Italia, me presidenten e parë femër? Cilat janë dy gratë e fuqishme në garë

29/01/2022 16:30

Italia duket se po i afrohet gjithmonë e më shumë një zhvillimi historik: zgjedhjes për herë të parë të një presidenteje femër. Pas pesë ditësh ngërçi dhe votimesh të përsëritura, krerët partiakë janë detyruar të kërkojnë një zgjidhje kompromisi.

Dy janë kandidatet e forta në garë: Elisabetta Belloni, një diplomate karriere që drejton shërbimet e sigurimit,  dhe ministrja e drejtësisë, Marta Cartabia.

“Unë po punoj që në krye të shtetit, të zgjidhet një grua e zgjuar”, u tha gazetarëve kreu i Ligës së krahut të djathtë, Matteo Salvini pas takimit që u zhvillua mes  liderëve të dy partive kryesore të Partisë Demokratike të qendrës së majtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet.

“Shpresoj që nesër të kemi një rezultat”, shtoi ai, i cituar nga Reuters. Giuseppe Conte, udhëheqësi i Pesë Yjeve, tha gjithashtu se ai dëshiron që gruaja të zëvendësojë presidentin në largim, Sergio Mattarella, mandati shtatëvjeçar i të cilit skadon javën e ardhshme.

Presidenti italian ka fuqi të konsiderueshme në kohë krize politike, të cilat janë bërë të zakonshme tashmë për ekonominë e tretë më të rëndësishme të eurozonës, ku qeveritë e kanë pasur të vështirë të mbijetojnë për periudha të gjata kohe.

Në Itali, 1009 anëtarë të parlamentit dhe përfaqësues rajonalë e zgjedhin presidentin me votim të fshehtë.

Top Channel