Gjermania drejt vaksinimit të detyrueshëm: Në lojë faktorë shëndetësorë dhe ekonomikë

29/01/2022 17:03

Gjermania duket se po shkon drejt vaksinimit të detyrueshëm, i cili tashmë po mbështetet nga grupet më të mëdha parlamentare në parlamentin federal Bundestag.

Zyrtarisht në diskutim janë këto variante:  vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.

Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin idenë e imunizimit të detyruar, çka shton gjasat për për miratimin e  njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim. Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.

Në Gjermani ka dakordim se parakushtet më të mira të mundshme, për përballimin e pandemisë krijohen kur popullata është e vaksinuar disa herë. Edhe nëse nuk është absolute mbrojtja me vaksinat.

Më tej, autoritetet thonë se vaksinimi në Gjermani nuk po ecën aq shpejt, sa të mbrojë popullatën nga një valë e re pandemie në vjeshtë dhe nga variante të reja të koronavirusit. Shifra e vaksinimeve është më e ulët se ajo  në disa shtete evropiane.

Në Gjermani janë vaksinuar dy herë 73,8% e popullatës (75,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Sipas Institutit Robert Koch vetëm 51,1 përqind janë vaksinuar për herë të tretë. Tre milionë vetë në Gjermani janë krejt të pavaksinuar.

Gjermania ka popullatën e dytë në Evropë për sa i përket plakjes dhe kulmi i numrit të infektimeve me variantin Omikron të koronavirusit pritet të arrihet në mes të shkurtit.

 

 

Top Channel