Fshati që po zbrazet/ Në Qarrishtë të Librazhdit nga 150 familje, kanë mbetur vetëm 15

29/01/2022 12:06

Në fshatra çdo gjë po kyçet, shkollat qendrat shëndetësore, madje edhe shtëpitë, sepse në fshatra nuk ka më njerëz. Këtu ndodhemi në Qarrishtë të Librazhdit, një fshat i largët, por i bukur që dikur numëronte 150 familje.

Sot kanë mbetur vetëm 15 shtëpi, edhe këto me të moshuar, të rinjtë janë larguar. Mungesa e infrastrukturës, dimri i gjatë, mungesa e një alternative punësimi apo jetese, kanë bërë që fshatrat të zbrazen. Këtu kanë mbetur shumë pak të moshuar dhe shumë shpejt nuk do të jetojë më askush.

Teksa dimri i ftohtë ka pushtuar fshatin, të moshuarit nuk i tremben temperaturave të ulëta, madje ata kujtojnë kohën kur kishte dimër të vërtetë. E vetmja gjë që u mungon janë zërat e fëmijëve.

I njohur si fshati që mbrojti dhe strehoi hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Qarrishta ka një histori me të cilën mund të krenohet, një histori që ndoshta shumë shpejt nuk do ta kujtojë më askush, njësoj si këto shtëpi të harruar të cilat dita ditës po shemben.

 

Top Channel