Kosova me dy sportistë drejt Olimpiadës “Pekini 2022”

28/01/2022 13:25

Ekipi olimpik i Kosovës do të niset më 29 janar drejt Kinës, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Kosova në këtë Olimpiadë do të përfaqësohet nga dy skitarë: Albin Tahiri, 32 vjeç, dhe Kiana Kryeziu, 17-vjeçare.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha në një konferencë për media, se pjesëmarrja e dy sportisëve nga Kosova në Olimpiadën në Kinë është arritje e madhe, raporton REL.

“Në Olimpiadë marrin pjesë 90 shtete dhe 105 vende nuk kanë arritur të fitojnë norma olimpike”, tha ai.

Pritjet e Komitetit Olimpik janë që dy sportistët të kenë një radhitje të mirë në ranglistën përfundimtare.

“Pritjet tona nuk janë siç janë ato në Olimpiadën Veriore, duke pasur parasysh se sa i vështirë është sporti i skijimit”, tha Krasniqi, duke kujtuar se nga Lojërat Verore, Kosova u kthye me dy medalje të arta në sportin e xhudos.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi ekipit olimpik flamurin shtetëror të Kosovës. Ajo tha se sportistët janë ambasadorët më të mirë, pasi “edhe në shtetet që nuk na kanë njohur, po vazhdojnë ta ngrenë flamurin tonë”. Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovë.

Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Më 2018, në Olimpiadën në Kore të Jugut, Kosovën e kishte përfaqësuar skitari Albin Tahiri.

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA