Franca shokohet nga vdekja e artistit në rrugën e mbushur me njerëz në Paris (fotot)

28/01/2022 18:25

Fotografi zvicerjan René Robert vdiq nga të ftohtët pasi u rrëzua në rrugë dhe nuk u ndihmua nga askush për më shumë se nëntë orë.

Vdekja e burri 85-vjeçar nga hipotermia që u rrëzua në një rrugë kryesore të Parisit dhe mbeti i shtrirë në trotuar për më shumë se nëntë orë, ka shkaktuar dhimbje e zemërim në Francë e në Evropë.

Fotografi i njohur për imazhet e tij të kërcimtareve më të famshme të flamenkos në Spanjë, vdiq javen e shkuar pasi rrëshkiti gjatë shëtitjeve të tij të natës, në zonën qendrore të Parisit ku banonte.

Sipas mikut të tij, gazetarit Michel Mompontet, Robert u rrëzua në rrugën Rue de Turbigo, mes sheshit ‘Place de la République’ dhe ‘Les Halles’.“Ai kishte pësuar një marrje mendsh dhe u rrëzua,” tregon Mompontet në një seri komentesh “Ishte i paaftë të ngrihej dhe mbeti në vendin e ftohtë për nëntë orë, deri sa një i pastrehë kishte thirrur shërbimet e emergjencës. Gjatë këtyre nëntë orëve asnjë kalimtar nuk ndaloi për të pyetur burrin e vjetër si ndjehej apo përse ishte shtrirë në trotuar. Asnjë”.

Mompontet tregoi rrethanat e vdekjes së mikut të tij në një intervistë në rrjetin France TV Info, ku shtonte se Robert ishte “vrarë nga indiferenca”.

Ai tha: “Nëse kjo vdekje e tmerrshme do të shërbente për diçka, atëherë le të jetë një mësim se kur një burrë është i shtrirë në trotuar, ne duhet të interesohemi, sado të zënë me punë që të jemi. Le të ndalojmë vetëm për një sekondë”.

Mompontet theksonte se shumë njerëz, përfshi dhe atë vetë, shikojnë në anën tjetër kur është fjalë për njerëz në rrugë.

“Para se të jap leksione apo të akuzoj dikë, duhet të merrem edhe vetë me këtë çështje,” thotë gazetari për France TV Info.

“A jam i sigurtë 100% se do të kisha ndaluar nëse isha aty, në atë skenë me një burrë përtokë? A kam ndërhyrë ndonjëherë nëse një i pastrehë është shtrirë para një dere?”

Vdekja për fat të keq ndodhi në një zonë të Parisit ku flenë shumë të pastrehë, dhe me të drejtë ka ndezur debatin për përgjegjësitë civile dhe normat bazë të moralit njerëzor.

Një prej lajmeve kryesore në të përditshmen  Le Figaro shkruante: “Fotografi René Robert, vdes nga indiferenca në mes të rrugës.”

Ambasada spanjolle në Holandë shkruante në twitter: “Vdekja e René Robert, që me kameran e tij ka imortalizuar artistët e mëdhenj të kërcimit flamenko, është një sfidë për ndërgjegjien tonë kolektive.”

Arcángel, këngëtari kryesor i rrymës në Spanjë, shkruante: “Trishtim për humbjen e René Robert, të cilin e kam njohur dhe kam qenë pjesë e fotografive. Nuk e kuptoi sesi askush nuk e ndihmoi, nuk dua të mendoj se jetojmë në një shoqëri me kaq pak vlera”.

Shoqata spanjolle Olivar, e cila punon me të pastrehët në Madrid prej 30 vjetësh, tha se ishte e trishtuar por jo e çuditur.

“Vdekja e René Robert është e trishtë, siç është përditshmëria e atyre që jetojnë e vdesin në rrugë. Çfarë po ndodh në shoqërinë tonë që lejojmë të ndodhë diçka e tillë?”

Sipas statistikave të organizatave bamirese rreth 600 njerëz vdesin çdo vit të pastrehë në rrugët e Francës./ TheGuardian/  Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
3/3
Ambasada spanjolle në Holandë shkruante në twitter: “Vdekja e René Robert, është një sfidë për ndërgjegjien tonë kolektive.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA