Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE-së, Xhaçka: Mbi 105 milion euro mbështetje

27/01/2022 14:10

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, foli në kuvend për projektligjin që ka si qëllim Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020.

Sipas Xhaçkës, programi ofron mbështetje në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991 eurove nga të cilat, kontributi maksimal i Bashkimit Europian arrin në 103 milionë Euro.

“Janë fonde, që vijnë në formën e granteve në mbështetje të një sërë prioritetesh të identifikuara në Dokumentin Strategjik Kombëtar 2014 – 2020.

Paketa IPA 2020 parashikon një numër veprimesh që japin një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Duke filluar që me mbështetjen për reformat e rëndësishme në funksion të rritjes së performancës së sektorit publik. Mbështetje për rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e BE-së duke dhënë një kontribut të posaçëm në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe trajnimin, bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillimin teknologjik. Mbështetje për forcimin e kapaciteteve dhe llogaridhënies së administratës publike si pjesë e Instrumentit të Integrimit në BE, përmes ekspertizës në ndërtimin e institucioneve, zbatimin e reformave apo edhe për të gjithë hallkat që parashikon procesi i IPA-ve duke filluar nga programimi e deri tek monitorimi e vlerësimi”, tha ministrja e Jashtme.

Kjo paketë, thotë Xhaçka, do të përdoret për reformën në drejtësi dhe do t’i lejojë OMN të përmbushë mandatin e tij kushtetues për të monitoruar procesin e vetingut në përputhje me Aneksin e Kushtetutës së Shqipërisë të rishikuar të vitit 2016.

Së dyti, kjo paketë jep një kontribut të rëndësishëm në përballimin e pasojave të krizës së shkaktuar nga Covid 19 duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të kësaj krize, duke reduktuar efektet makroekonomike dhe duke garantuar që bizneset vulnerabil dhe shtresat në nevojë të përfitojnë nga  mbështetja ekonomike

“Pika e tretë, lidhet me fakti që për të dytin vit programues radhazi Komisioni Evropianka zbritur në nivelin e pushtetit vendor, pra në nivelin e bashkive duke ju dhënë atyre akses tek kjo paketë çka do të thotë jo vetëm më shumë projekte e më shumë punë për qytetarët, por edhe forcim të kapaciteteve dhe mundësi që paprecedenta për njësitë tona të qeverisjes vendore”, shpjegon më tej Xhaçka.

 

 

 

 

 

Top Channel