Lavrov: Rusia s’do ta publikojë përgjigjen amerikane rreth krizës me Ukrainën

27/01/2022 03:46

Moska zyrtare ka bërë të ditur se nuk do të publikojë përgjigjen e SHBA-së në lidhje me krizën në Ukrainë. Përgjigjja e NATO-s lidhur me garancitë e sigurisë i është dorëzuar ambasadorit rus në Bruksel, Aleksandër Tokovinin, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.

Më herët, ambasadori i SHBA-së në Moskë, John Sullivan, ka dorëzuar një përgjigje me shkrim nga Uashingtoni për draft-garancitë ruse të sigurisë gjatë takimit me zëvendësshefin e diplomacisë ruse, Alexander Grushko.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot në Dumën e Shtetit se Rusia nuk do të publikojë përgjigjen amerikane nëse kërkohet, por do të zbulojë listën e përgjithshme të përgjigjeve. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha sot se përgjigjja me shkrim e Uashingtonit ndaj kërkesave të sigurisë së Rusisë hap rrugën për një zgjidhje diplomatike nëse Moska e merr seriozisht dhe se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të parandalojnë një përshkallëzim ushtarak kundër Ukrainës.

Ai tha se dokumenti i dorëzuar Rusisë, përmbante një vlerësim “parimor dhe pragmatik” të kërkesave të Rusisë, duke shtuar se përgjigja ishte plotësisht e koordinuar me Ukrainën dhe aleatët evropianë të Uashingtonit. Në përgjithësi, kjo përfaqëson një rrugë serioze diplomatike përpara, nëse Rusia vendos ta bëjë këtë,” tha Blinken duke shtuar se ai pret që bisedimet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të vazhdojnë në ditët në vijim.

Blinken tha se përgjigja e SHBA ndaj kërkesave të Rusisë pasqyron qëndrimin e Uashingtonit se është i hapur për dialog dhe preferon diplomacinë, por se si do të përgjigjet i takon Rusisë. Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme në çdo rast. Uashingtoni e ka bërë të qartë se kërkesat e Rusisë për NATO-n që të tërheqë trupat dhe armët nga Evropa Lindore dhe të ndalojë Ukrainën të bashkohet ndonjëherë me aleancën, nuk mund të diskutohen.

Tensionet janë të larta pasi Rusia grumbulloi rreth 100.000 trupa jo shumë larg kufirit me Ukrainën, duke rrethuar vendin me forca nga veriu, lindja dhe jugu. Rusia mohon planifikimin e pushtimit. Blinken tha sot se nuk do të ketë asnjë ndryshim në pozicionin e SHBA-së për politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Edhe pse Ambasada e SHBA-së në Kiev do të mbetet e hapur, amerikanët në ish-republikën sovjetike duhet të mendojnë me kujdes për largimin, paralajmëroi ai.

Top Channel