Hetohet kompania që kërkonte ‘foto në kostum banje’ në njoftimin e punës si recepsioniste në Itali (fotot)

27/01/2022 18:35
Vitin e kaluar Senati ndaloi posterat seksiste në rrugë dhe në mjetet e transportit.

Pas zemërimit publik për njoftimin e vendit të punës si recepsioniste për aplikante nën 30 vjeç të shoqëruar me një foto në kostum banje, autoritetet në Itali thanë se kanë nisur hetime.

Njoftimi ishte postuar në disa rrjete punësimi të specializuar nga një kompani me bazë në Napoli dhe kërkonte mes të tjerave që kandidatja të ishte femër, nën 30 vjeç, të fliste anglisht, të kishte makinën e saj, të kishte një karakter “të çelët dhe pamje tërheqëse”.

“Ne ju kërkojmë të na dërgoni një foto të plotë në kostum banje ose diçka të ngjashme”, thuhej në njoftimin për vendin e recepsionistes, me rrogën “e mjerë” prej €500 në muaj, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

Por kërkesa inkriminuese ishte hequr më vonë dhe njotimi ishte ripostuar, por jo para se çështja të bëhej virale në rrjetet sociale italiane, shkruan e përditshmja vendase La Stampa.

Këshilltarja e punës në Napoli, Chiara Marciani tha: “Duan foto në kostum banje? Ç’është ky njoftim absurd”.

“Kjo është skandaloze për disa arsye – duke nisur që nga kërkimi i një gruaje nën 30-vjeç, me një rrogë në mënyrë absurde të pamjaftueshme për përkushtimin dhe detyrat që kërkohen”.

Pas kërkesave për komente, kompania në fjalë tha se kërkesa për foto në kostum banje ishte “krejtësisht e papërshtatshme” dhe një gabim nga një punonjës i saj “pa eksperiencë”, që nuk i kuptonte politikat e barazisë gjinore.

Ministri italian i punës Andrea Orlando, ka kërkuar hetim nga inspektorët.

“Problemi i seksizmit vijon të mbetet … ka shumë çështje që duhet të trajtohen, veçanërisht në quytete ku punësimi i grave mbetet i ulët”, tha ai.
Shumë gra detyrohen të lënë punën kur mbeten shtatzënë pasi nuk mund të kombinojnë punën me jetën, prej mungesës së institucioneve të përshtatshme të kujdesit të fëmijës apo dhe kushteve jo-fleksibël të punës.

Ankesa për seksizëm ka pasur shpesh në reklamat dhe billbordet në të gjithë Italinë, çka bëri që vitin e kaluar Senati të ndalonte posterat seksiste në rrugë dhe në mjetet e transportit.

FOTO GALERI
3/3
Vitin e kaluar Senati ndaloi posterat seksiste në rrugë dhe në mjetet e transportit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA