Nuk ka fitues në derbin mes Dinamos dhe Partizanit i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Në Air Albania Stadium sfida mes dy skuadrave të kryeqytetit u mbyll me rezultatin 1-1. Të dy golat e këtij takimi u shënuan që në pjesën e parë me Të Kuqtë që morën avantazhin.
Tedi Cara në minutën e 25 përfitoi nga një pasiguri e Simonit pas gjuajtjes së Markut për të dërguar topin në rrjetë. Por në minutat e fundit të këtij 45 minutëshi, dinamo fitoi një 11 metërsh dhe kapiteni Agim Ibraimi nuk gaboi nga pika e bardhë dhe shënoi golin e barazimit 1-1.
Në pjesën e dytë skuadrat i patën rastet e tyre me Malën e Kallakun nga njëra anë dhe Ibraimin në anën tjetër, por pa sukses dhe rezultati deri në fund të 90 minutëshit mbeti 1-1 dhe çështja e kualifikimit do të diskutohet në ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë ndeshja tjetër çerekfinale e kupës së Shqipërisë ajo mes Skëndërbeut dhe Teutës u zhvillua në kushte mjaft të vështira klimaterike për shkak të temperaturave të ulëta dhe dëborës në qytetin juglindor. Gjithsesi Teuta ja doli të marrë një fitore minimale 0-1 por që vlen shumë për kualifikimin.
Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0 me skuadrat që në minutat e para nuk bënë shumë, por që me kalimin e minutave filluan të sulmonin portat respektive. Pas pushimit të ndeshjes Teuta u shfaq më kërkuese në lojë teksa krijoi raste me Aleksin apo Dajën dhe në minutën e 61 Hebaj konkretizoi këto përpjekje të skuadrës së drejtuar nga Arapi duke shënuar në portën korçare. Pak caste më vonë Teuta shënoi edhe një gol tjetër me Acquah, gol që anulohet për një pozicion jashtë loje. Situata nuk ndryshoi dhe rezultati mbeti 1-0 për Teutën që në këtë mënyrë hedh një hap para drejt gjysmëfinales së kompeticionit.
Top Channel