Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 17-vjeçarin që ekzekutoi me pistoletë Ndue Lekgjonaj në Manati të Lezhës më 24 janar, duke u hakmarrë për babanë e vrarë.

Seanca u drejtua nga gjyqtari Artan Hajredinaj, prokuror Sabri Kastrati, ndërsa avokati mbrojtës ishte Andi Duraj.

Pasi morën vesh lajmin, dhjetëra familjarë që prisnin jashtë për një përgjigje pozitive shpërthyen në lot.

Sipas avokatit, vendimi është i drejtë nga gjykata pasi vepra të rënda rëndojnë mbi të pavarësisht moshës së mitur. Tashmë ai do të transferohet në institutin e veçantë në Kavajë.

I mituri e goditi disa herë viktimën me një pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas aktit 17 vjeçari është vetë dorëzuar në komisariat së bashku me armën me të cilën kreu edhe krimin.

Menjëherë policia ka kryer dhe kontroll banese në shtëpinë e autorit, ku u gjet dhe një tjetër armë, tip pushke artizanale.

Pikënisja e konflikteve mes dy familjeve është viti 2009 për shkaqe pronësie ku vëllai i Lekës, Ndue Lekgjonaj ka vrarë babanë e autorit të ngjarjes.

Gjon Pervathi mbeti viktimë e një atentati me kallashnikov 13 vite më parë. Ai ishte duke lëvizur ne rrugën e vjetër që të dërgon ne Milot së bashku me djalin e tij Danielin dhe kushëririn Gjergjin, ku dhe këta te fundit kanë mbetur të plagosur.

Pak ditë pas krimit, Ndue Lekgjonaj u dorëzua në polici, ku pranoi dhe autorësinë e krimit. Konfliktet mes dy familjeve vazhduan, ku historia u përsërit sërish.

Burime te afërta pranë familjes bëjnë me dije se për familjen e Lekgjonajt ishte falur gjaku dhe nuk kishin frikë për ndonjë hakmarrje te mundshme.

Top Channel