Kosovë, protestë për energjinë! Kundërshtohet projekti për rritjen e çmimit

26/01/2022 15:51

Dhjetëra qytetarë kanë marshuar nëpër sheshet e Prishtinës, në shenjë proteste ndaj propozimit për rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas tyre opsionet e ofruara nga Qeveria e Kosovës për të dalë nga kriza energjetike e varfërojnë qytetarin.

Propozimi i fundit i ZRRE-së për bllok tarifën do të na varfërojë edhe më tej secilën e secilin prej nesh“, u shpreh një nga organizatoret e protestës, Anita Mjeku.

Protestuesit patën edhe disa kërkesa për shefin e ekzekutivit.

Qeveria të mos e aprovojë bllok tarifën e propozuar nga ZRRE-ja. Dy, ta shtetëzojë KEDS-in, kjo si zgjidhja më e qëndrueshme për furnizim me energji elektrike të të gjithë neve“, tha Anita Mjeku .

Pjesëmarrësit në protestë kritikuan edhe kryeministrin Albin Kurti që sipas tyre aprovon propozime që janë të dëmshme për qytetarët.

Prej që ka ardhë kjo Qeveri veç shkojnë tu u rritë senet. Po s’ka rritje të rrogave e s’ke qare pa protestu”, thotë një qytetar.

“Jemi tu protestu për shkak të rritjes së rrymës edhe për shkak të kryeministrit tonë që po don me na shtri për toke“, thotë një tjetër.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është në konsultim deri më 28 janar. Kundër këtij propozimi përsëri të shtunën do të protestohet.

 

Top Channel