Katalunja jep faljen për mijëra gra të akuzuara për ‘magji’ ndër vite (fotot)

26/01/2022 18:06

Mijëra njerëz, kryesisht gra ishin dënuar barbarisht gjatë gjuetisë së shtrigave që vijoi deri në shekullin e 18-të.

Parlamenti rajonal i Katalonjës  ne Spanje kaloi sot rezolutën ku i jep faljen rreth 1000 njerëzve, kryesisht gra, që ishin dënuar me vdekje për krimin e “magjisë”, që prej 400 viteve më parë.

Zhvillimi vjen pas masave të ngjashme në Skoci, Zvicër e Norvegji, pasi më shumë se 100 historianë nënshkruan manifestin e titulluar: “Ato nuk ishin shtriga, ishin vetëm gra”.

Rezoluta vjen pas një fushatë të revistës vendase historike Sapiens, dhe me mbështetjen e partive të majta e nacionaliste në parlament.

Duke komentuar në TV3 presidenti katalanas Pere Aragonès, e përshkruante gjuetinë e shtrigave si “femicid i institucionalizuar”.

Llogaritet se mes viteve 1580 e 1630, rreth 50,000 njerëz janë dënuar me vdekje për magji dhe heretizëm në të gjithë Evropën, nga të cilët të paktën 80% ishin gra.

Përveç gjuetisë së shtrigave në Evropë, në Spanjë Inkuizicionikreu një fushatë barbare “anti-herezie” ndaj muslimanëve, hebrejve e minoriteteve të tjera teksa tentonte t’i kthente në kristianë.

Katalonia ishte disi ndryshe nga Spanja asokohe pasi aty gjuetia e shtrigave vijoi deri në shekullin e 18-të.

Ai që besohet se ishte ligji i parë në Evropë për dënimin e praktikuesve te magjisë u kalua në Lleida në vitin 1424.

Profesori i historisë Pau Castell, në Universitetin e Barcelonës, thotë se fenomeni ishte i përhapur në Katalonia pasi zonat rurale ishin nën pushtetin absolut të krerëve feudalë dhe se prova e fajit ishte vetëm pranimi .

“Shtrigat” fajësoheshin shpesh për vdekjen e papritur të fëmijëve, për katastrofat natyrore apo të korrat e këqija”, thotë Castell.

Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, shtrigat dhe heretikët në Katalonia vareshin ne litar dhe nuk digjeshin në turrën e druve. Castell thotë se kjo bëhej pasi ishte më pak e kushtueshme dhe nuk shpenzohej druri i vlefshëm i zjarrit.

Disa fshatra katalane pajtonin ata që njiheshin si “zbulues shtrigash”. Një prej tyre ishte Joan Cazabrujas (John gjuetari i shtrigave) në fshatin Sallent, akuzat e të cilit çuan në varjen e 33 grave. Kur inkuizicioni zbuloi më vonë se shumica e grave ishin të pafajshme, vete Cazabrujas u dogj në turrën e druve.

Historia spanjolle e cështjes sillet rreth një gjyqi famëkeq në fshatin Zugarramurdi në Navarra, klu flitej se burra, gra e madje priftërinj praktikonin magji në një shpellë të madhe.

Para nisjes së gjyqit në Logroño në vitin 1609, rreth 7,000 njerëz ishin hetuar për krimin e magjisë, edhe pse sot vendi ka vetëm 225 banorë.

Rreth 2000 të dyshuar pranuan fajin, dhe treçereku i tyre ishin nën moshë, por më vonë mohuan pranimin e tyre. Në fund 11 u dënuan, nga të cilët pesë kishin vdekur në burg dhe gjashtë të tjerët, katër gra dhe dy burra, u dogjën në turrën e druve. /Guardian/

FOTO GALERI
1/3
Zhvillimi vjen pas masave të ngjashme në Skoci, Zvicër e Norvegji

Top Channel