Zelensky: Situata në Ukrainën lindore është “nën kontroll”

25/01/2022 22:18

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se njerëzit nuk duhet të jenë të shqetësuar, sepse situata në Ukrainën lindore është “nën kontroll”.

Zelensky iu drejtua kombit dhe tha se vendimet e marra dje në një takim të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes tregojnë se “gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka asnjë arsye për panik”.

Ai tha se tema kryesore në rendin e ditës ishte situata në Ukrainën lindore, si dhe theksoi se autoritetet po bëjnë gjithçka të mundur për de-përshkallëzim dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore të çështjes.

“Ne jemi të vetëdijshëm për gjithçka, jemi gati për gjithçka, besojmë në më të mirën dhe për këtë bëjmë gjithçka së bashku me partnerët tanë, diplomatët tanë dhe më e rëndësishmja me ushtrinë tonë”, tha ai.

Lidhur me tërheqjen e stafit të ambasadave nga disa vende, Zelensky tha se masa nuk paraqet “përshkallëzim të pashmangshëm”.

Gjatë ditëve të fundit, SHBA-ja dhe Kanadaja u kanë kërkuar familjeve të diplomatëve që të largohen nga Ukraina, me Japoninë që tha se së shpejti mund të ndjekë shembullin e njëjtë, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar tërhoqi një pjesë të stafit nga ambasada e saj në “përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia”.

“Ambasadat e vendeve të BE-së dhe shumë të tjera kanë mbajtur të gjithë punonjësit e tyre në Ukrainë. Fakti se disa vende po largojnë disa nga diplomatët e tyre aspak nuk do të thotë një përshkallëzim të pashmangshëm. Këto janë mprehtësitë e një loje komplekse diplomatike”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas po ashtu theksoi se Ukraina po punon me partnerët e saj dhe vepron “si një ekip i vetëm”.

Së fundmi, Rusia grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit ish-sovjetik.

Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim dhe ka deklaruar se trupat e saj janë atje për stërvitje./AA/

Top Channel