U ndalua për korrupsion, vdes në burg ish kryeparlamentari i Nju Jorkut

25/01/2022 13:34

U dënua për korrupsion dhe nuk doli më gjallë nga qelia e tij. Ish-kryetari i asamblesë së Nju Jorkut, Sheldon Silver, një prej figurave më të të fuqishme në qeverisjen e këtij shteti për thuajse dy dekada, vdiq në një burg federal në moshën 77 vjecare.

Silver vuante nga sëmundje të shumta. Ai po vuante dënimin e tij në Qendrën Mjekësore Federale në Devens, të shtetit Masaçusets, dhe në momentin e vdekjes po trajtohej në një spital aty pranë në Ayer. Ironia e madhe është se demokrati nga Manhatani, dikur i pati thënë një gjykatësi se lutej që të mos vdiste në burg. Ai përfundoi prapa hekurave për shkak të një dënimi me mbi gjashtë vite burgim për shkak se përdori influencën e tij në qeverisjen e shtetit që të përfitonin kompani të pronave të patundshme, të cilat në këmbim e shpërblyen duke dërguar procese me fitime të mëdha tek firma e tij ligjore. Ky skandal i dha fund karrierës së tij prej katër dekadash në asamblenë e Nju Jorkut. Vendin e parë si përfaqësues i Manhatanit ai e fitoi në vitin 1976. Megjithëse konsiderohej si person me profil të qetë në hollet e Kapitolit të Nju Jorkut, dhe për të folurën e kujdesshme me ton të thellë, ai ishte ndër njohësit më të mirë të mekanizmave të brendshme të këtij shteti. Silver kishte lindur në një familje emigrantësh të ardhur nga Rusia.

Top Channel