Trupat amerikane në gatishmëri për Ukrainën, 8.500 ushtarë gati për front!

25/01/2022 13:18

Presidenti Joe Biden zhvilloi një video-konferencë me aleatët europianë në mesin e paralajmërimeve se rreziku i një pushtimi rus në Ukrainë, është i lartë.

Shtetet e Bashkuara vendosën mijëra trupa në gatishmëri për t’u dërguar në rajon nëse do të jetë e nevojshme. Takimi virtual i Biden ishte me krerët e Komisionit Europian, Këshillit Europian, NATO-s, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila tha se ata kanë në plan të vazhdojnë për çdo rast diskutimet “mbi diplomacinë, ashtu dhe parandalimin apo përpjekjet e mbrojtjes”, si dhe efektin që sanksionet mund të kenë mbi Moskën.

Pjesë e diskutimeve ishte gjithashtu forcimi i sigurisë në krahun lindor të NATO-s”. Edhe pse deklarata e lëshuar në fund të takimit nuk përmendte në mënyrë të qartë mundësinë e dërgimit të ushtarëve amerikanë në rajon, ajo nuk përjashtohet.

Pentagoni njoftoi se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka vendosur në gadishmëri rreth 8,500 trupa me bazë në SHBA me qëllimin që t`i shkojnë në ndihmë NATO-s. Zëdhënësi John Kirby sqaroi megjithatë se SHBA-ja mund të ofrojë edhe trupa të stacionuara tashmë në Europë.

Më herët, gjatë fjalës së tij në një takim mbi konkurrencën ekonomike, Biden qe shprehur se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre europianë, kishin “unanimitet të plotë” për Ukrainën.

Top Channel