Shehi: David ka nevojë për kohë, nuk e durojmë dot dominimin e kundërshtarit

25/01/2022 00:32

Për trajnerin Orges Shehi fitorja e derbit ndaj Dinamos ishte shumë e vështirë, por njëkohësisht shumë e mirë.

Duke folur pas ndeshjes, tekniku i ‘bardhebluve’ theksoi se pavarësisht kushteve të terrenit, që sipas tij nuk ishin më të mirat e mundshme, por shtoi se rezultati është ai që ka rëndësi.

“Sigurisht që jemi të kënaqur për vetë faktin që fituam një ndeshje që për mendimin tim ishte një ndeshje e fortë me një kundërshtar si Dinamo. Shumë pak herë na rrezikuan, ndoshta duhet të kishim bërë pak më mirë. Por ishte dhe ngrica e koha që na e vështirësuan punën si ne edhe Dinamos. Për ne e rëndësishme sot ishte të ishim agresiv dhe të shkonim te porta. Sigurisht edhe marrja e topit ndikon pak, por e rëndësishme ishte që shënuam.”-tha ai.

Duke folur për gjendjen e Totres, Shehi u shpreh se u pengua nga terreni, ndërsa shtoi se ka besim që do ketë përmirësim.

“Pas pauzës jo çdo lojtar është 100%, Totren mendoj që sot e ka penguar terreni sepse është një lojtar teknik dhe ka veprime shumë të shpejta por në një terren të tillë e ka të vështirë. Kam besim që do të rritet sepse ka shumë cilësi.”-vijoji trajneri.

Kreu i stolit të ‘bardhebluve’ theksoi se David nuk është në gjendjen e tij më të mirë dhe se beson se do të ndihmojë në të ardhmen.

“David ka ardhur në grupin tonë, ne i dimë vlerat e tij. ndoshta ndryshon mënyra e lojës. Është ndeshja e tij e parë dhe do pak përshtatje, plus dhe formën nuk e ka 100%, por besoj që do na ndihmojë shumë në pjesën e mbetur të kampionatit.”-deklaroi Shehi.

Ai tha ndër të tjera edhe se humbja ndaj Vllaznisë ndodhi për shkak se qëndruan shumë mbrapa dhe shtoi se ekipi i tij nuk e duron dot dominimin e kundërshtarit.

“Është e vërtetë që një garë performance nuk do të jetë gjithmonë njësoj. Jemi të kënaqur që edhe në ditë të keqe skuadra të mos dalë pa pikë. Këtë ndeshje kam qenë shumë i qetë, pasi kemi folur shumë dhe vetë skuadra më tha që të jemi të qetë.. Nuk mendoj se do hymë te llogaritë, ndeshjen me Vllanzinë e kemi humbur me një episode sepse kemi ndenjur shumë mbrapa dhe ne jemi skuadër që kur rrimë mbrapa bëhemi shumë nervoze, por nuk do hymë në fazën e llogarisë në ndeshjen me Kukësin”, deklaroi Orges Shehi.

Top Channel