“S’duhet të largoheshin diplomatët”/ Largimi i amerikanëve përhap panik, largon biznesin dhe prish stabilitetin ekonomik

25/01/2022 01:58

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës Oleg Nikolenko tha sot se është “i parakohshëm” vendimi i SHBA për tërheqjen e familjeve të diplomatëve të saj në Kiev.

Prej frikës së një pushtimi të mundshëm rus Uashingtoni autorizoi largimin “e vullnetshëm” të stafit jo-thelbësor të ambasadave dhe nxiti qytetarët të mos qëndrojnë në ish-vendin sovjetik.

Zëdhënësi Nikolenko tha se nuk ka ende ndryshime të tilla të situatës, për të justifikuar diçka të tillë.

“Në fakt kërcënimet për valë agresioni nga Rusia kanë qenë të njëjta që prej vitit 2014, ndërsa akumulimi i trupave ruse në kufi ka nisur prej prillit të vitit të kaluar”. Ai shtoi se në mediat ndërkombëtare ka një masë të konsiderueshme dezinformacioni me qëllim mbjelljen e panikut e pasigurisë mes të huajve e ukrainasve.

“Federata ruse po përpiqet të destabilizojë situatën e brendshme në Ukrainë.” “Dhe bashkë me këtë ka një masë të madhe dezinformimi e manipulimi që përhapet në mediat ukrainase dhe ndërkombëtare, me qëllim përhapjen e panikut, largimin e biznesit dhe prishjen e stabilitetit ekonomik”, shtoi Nikolenko.

Top Channel